Oda e Hotelerisë kërkon lirimin e masave, përndryshe paralajmëron greva e padi

Oda e Hotelerisë kërkon lirimin e masave, përndryshe paralajmëron greva e padi

Tubimet e partive politike në sallat e dasmave kanë nxitur reagimin e Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës. Për këtë të fundit është e pakuptimtë që atyre që iu ndalua veprimtaria për gati një vit, t’u bëhet presion që t’i lëshojnë sallat për tubime elektorale. Sipas tyre, kjo është edhe më absurde pasi masat i kanë vënë vetë politikanët, të cilët tash janë bërë shkelësit më të mëdhenj të tyre. 

Për këtë arsye, Oda e Hotelerisë i ka vënë ultimatum Qeverisë së Kosovës që të respektojë masat ose të heqë kufizimet për të gjithë, përndryshe thonë se do të shkojnë në greva qysh sot.

Në një konferencë për media, kryetari i kësaj ode, Hysen Sogojeva tha se nuk do të heshtin as karshi humbjeve të bizneseve si rezultat i ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë për shkak të pandemisë, për çka paralajmëroi padi ndaj Qeverisë së Kosovës.

Ai tha se 35-40 për qind e bizneseve të hotelerisë janë të falimentuar, ndërsa 30 mijë persona kanë mbetur pa punë.

Sogojeva bëri të ditur se nëse nuk do të ketë reflektim të institucioneve të vendit dhe partive politike për çështjet e ngritura, nuk do të marrin parasysh masat e Qeverisë. 

“Këto biznese kanë përafërsisht 30 mijë punëtorë të papunë, dhe duke u nisur se këto masa nuk kanë dhënë rezultate, ne e kemi ftuar këtë konferencë që ne  si Odë të kujdesemi për shëndetin e qytetarëve, përkundër asaj që ne kemi qenë të bllokuar për shkak të masave që i kanë marrë dy qeveritë… Ne jemi për mbrojtjen e shëndetit, andaj lëshoni njerëzit le të punojnë, përmbajuni masave. Kërkojmë urgjentisht të hiqet kufizimi përndryshe Oda e Hotelerisë dhe turizmit, qysh sot do të fillojë organizimin e grevave, protestave dhe gjëra të cilat kanë me qenë ndoshta radikale”, tha ai.


Sogojeva bëri të ditur se janë duke shqyrtuar mundësinë për një padi kolektive ndaj Qeverisë në detyrë të Kosovës, për shkaktimin e dëmeve për bizneset për shkak të masave për ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë së bizneseve të hotelerisë.

“Ekziston mundësia që të ngremë padi kolektive, sepse (kufizimi i veprimtarisë) nuk ka qenë e drejtë”, tha ai.

Afrim Muqiqi, drejtor i Departamentit të Estradës, paralajmëroi se në rast se vazhdojnë tubimet elektorale, atëherë edhe bizneset e hotelerisë do të fillojnë të ushtrojnë veprimtarinë e tyre.

“Po shihet mirë se ky standard i dyfishtë qenka përdorur vetëm për neve, në interes të partive politike, të të gjithave me radhë, nga e para e deri tek e fundit. Nëse nuk ka pasur mundësi që ato ahengje familjare të mbahen në sallat e dasmave. Pyes ku është logjika për politikanët tanë duke nisur nga ushtruesja e detyrës së presidentit deri tek i fundit, ku është standardi i ligjeve që vetë i keni nënshkruar. Këto ne nuk i kemi bërë montazh, këto janë realitet i përditshëm. Të gjithë kolegëve tonë që kanë hapësira të dasmave po u bëhet kërkesë dhe presion që të lirohet hapësira për mbajtjen e evenimenteve të tyre politike. Ne nuk jemi kundër mbajtjes së tyre, por ku është logjika që të ndalohet profesioni jonë. Mua po më duket se me këto veprimet e ditëve të fundit masat qenkan liruar dhe neve nuk na ka mbetur asgjë tjetër vetëm se t’i ftojmë edhe ne dasmorët dhe të fillojmë t’i mbushim sallat, sepse është përdorur ai standard i dyfishtë”, tha Muqiqi.

E drejtori i Hotelerisë dhe Gastronomisë, Sadik Maqedonci tha se standardet e dyfishta kanë dëmtuar më së shumti biznesin e hotelerisë, teksa shtoi se tubimet partiake mund të përkeqësojnë situatën ndërsa pasojat sërish do t’i vuajnë bizneset.

Ai thekson se është e pakuptimtë sesi në sallat ku nuk u lejuan ahengjet dhe dasmat, të mblidhen politikanët për interesa partiake, duke harruar rregullat të cilat i bënë vetë politikanët.

Video

error: