Oda Amerikane prezanton programin e BERZH-it për përmirësim të menaxhimit financiar

Oda Amerikane prezanton programin e BERZH-it për përmirësim të menaxhimit financiar


Menaxhimi më i mirë i financave të ndërmarrjeve dhe raportimi korrekt i tyre ka marrë një rëndësi të theksuar gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, e cila ka shkaktuar çrregullime të pa precedentë mbi ekonominë e vendit.

Kjo u tha gjatë një forumi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Ernst and Young Kosovo and Albania (EY), gjatë së cilës u prezantua Programi i BERZH për Përmirësimin e Menaxhimit Financiar, dhe mundësitë që ofron Ernst and Young për mbështetje të këtij programi. 


Arian Asolli, analist në programin e BERZH Këshilla për Bizneset, theksoi qëllimet e këtij programi përfshijnë përmirësimin e kapaciteteve të kompanive vendore për menaxhim dhe raportim financiar, në mënyrë që të njëjtat të krijojnë lehtësira për qasje direkte apo indirekte në kreditë që ofron BERZH, si dhe rritjen e atraktivitetit të bizneseve për investitorët vendas dhe ata të huaj.

Ai po ashtu shtjelloi kriteret të cilat duhet plotësuar nga bizneset për përfshirje në këtë program, derisa përmendi edhe profilin ideal të kompanive që kjo bankë po kërkon, teksa bëri të ditur se përkrahja e BERZH do të jetë 75% e kostove totale.



Emel Visha, menaxhere në zyrën e EY Kosovo and Albania për Strategji dhe Transaksione, tha se në kuadër të këtij programi, EY nëpërmjet strukturave të veta ka krijuar modelin e qëndrueshmërisë së ndërmarrjeve, të ndarë në tre etapa të cilat përfshijnë përgjigjen me urgjencë tani, përgatitjen për të ardhmen dhe të menduarit tutje, duke marrë në konsideratë çrregullimet e shkaktuara nga COVID-19.

Ajo potencoi pikat kryesore për ndërhyrje në biznes ku kjo kompani mund të ofrojë asistencë, duke përmendur përgatitjen e një plani të biznesit, parashikimin e likuiditetit dhe analizën e skenarëve, si dhe përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për proceset e aplikimit për ndihmë financiare.

Shkëmb Gashi, menaxher në departamentin e auditimit në kompaninë Ernst and Young Kosovo and Albania foli për gjendjen aktuale të ekonomisë së Kosovës duke tërhequr paralele në mes të situatës para-pandemike dhe asaj të tanishme, duke vlerësuar ndikimet që pandemia COVID-19 ka pasur mbi veprimtaritë e bizneseve dhe ekonominë në përgjithësi.

Ai theksoi një ndër problematikat më primare me të cilat ballafaqohen ndërmarrësit sot, siç është risku i vijimësisë së biznesit duke shtuar se EY ofron mbështetje përmes analizave të ndryshme makroekonomike, të faktorëve specifik të ndërmarrjes që mund të ndikohen nga pandemia dhe analiza të tjera sipas nevojës. 

Lexo edhe

Video