OBSh tregon strategjinë e re për emërimin e varianteve të koronavirusit

OBSh tregon strategjinë e re për emërimin e varianteve të koronavirusit

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) ka bërë të ditur se tash e tutje do të përdorë shkronjat greke për emërimin e varianteve të reja të koronavirusit, të cilat janë regjistruar në botë.

Deri më tani, OBSh ka treguar se variant britanik i koronavirusit do të njihet si “Alfa”, varianti i Afrikës së Jugut do të identifikohet si “Beta”, ai i Brazilit si “Gamma”, ndërsa varianti me prejardhje nga India do të identifikohet si “Delta”.

Kjo është bërë me qëllim që të parandalohet stigma që ishte krijuar me emërimin e këtyre varianteve, duke i identifikuar në bazë të prejardhjes.


Kujtojmë se i pari që kishte bërë një gjë të tillë ishte ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i cili e kishte quajtur “virus kinez” variantin e parë të COVID-it, raporton Reuters, transmeton KosovaPress.

Epidemiologia në OBSh, Maria Van Kerkhove, citohet të ketë thënë se “asnjë vend nuk duhet të stigmatizohet pas raportimit të varianteve të reja të COVID-it”.

Alfabeti grek do të vazhdojë të përdoret edhe për variantet e reja që mund të krijohen në vende të tjera të botës.

Ndërsa, nëse identifikohen më shumë se 24 variante, aq sa ka shkronja alfabeti grek, atëherë OBSh pritet të sjell një program të ri emërtimi.

Lexo edhe

Video