OBSH: Politika e Kinës për zero COVID është e paqëndrueshme

OBSH: Politika e Kinës për zero COVID është e paqëndrueshme

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adhan Ghebreyesus deklaroi sot se politika e Kinës zyrtare për të arritur një shkallë zero infeksioni në luftën kundër pandemisë COVID-19 është e paqëndrueshme.

Ai në një konferencë për media në Gjenevë tha se sjellja e virusit tani dhe sjellja e parashikuar në të ardhmen kërkon një strategji tjetër.

“Kur flasim për strategjinë e shkallës zero të COVID, ne nuk mendojmë se është e qëndrueshme,” tha ai.

Për një kohë, strategjia e zbatuar nga Kina dha rezultate dhe vendi pati një numër shumë të vogël vdekjesh nga COVID në krahasim me popullsinë e saj.

Në fund të javës së kaluar, Kina përsëriti zbatimin e saj të vazhdueshëm të strategjisë së COVID-it me normë zero, një “atu i madh” kundër koronavirusit, pavarësisht zhgënjimit në rritje në Shangai, ku popullata, e burgosur prej javësh, po proteston duke përplasur tenxhere në dritare.


Autoritetet kineze pretendojnë se me strategjinë rigoroze, kinezët kanë jetuar pothuajse normalisht që nga viti 2020 dhe kanë kufizuar numrin e vdekjeve në më pak se 5.000 sipas shifrave zyrtare.

Por varianti omicron, i cili është shumë ngjitës, e ka përmbysur trendin.

“Ne duhet të përshtatemi me rrethanat,” tha drejtori i situatave emergjente të OBSH-së, Michael Ryan.

Ai bëri thirrje për “politika dinamike, të adaptueshme dhe elastike”, sepse mos fleksibiliteti mund të “shkaktojë shumë dëme”.

Maria Van Kerkhove, përgjegjëse për monitorimin e luftës kundër COVID-it në kuadër të OBSH-së, këmbënguli në faktin se sot është e pamundur të ndalohet çdo transmetim i virusit.

“Qëllimi ynë në nivel global nuk është të zbulojmë çdo rast dhe të ndalojmë çdo transmetim. Kjo nuk është vërtet e mundur tani”, pranoi ajo.

Lexo edhe

Video