OAK shënon Ditën Botërore të Tokës

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka shënuar ditën Botërore të Tokës me mbjelljen e 20 fidanëve. Parkut në Dardani nga sot do i shtohen këta fidanë, që për qëllim kanë sensibilizimin e qytetarëve për ruajtjen e tokës. Në këtë ditë u bë thirrje që vetëdija për një gjë të tillë të jetë gjatë tërë vitit, e jo vetëm një ditë.

Nënkryetari i Odës së Afarizmit, Arsim Selmonmusaj ka bërë thirrje që të ruhet toka, në mënyrë që të gjithë të kenë jetë më cilësore.

“Kemi marrë një aktivitet simbolik që sado pak për të sensibilizuar opinionin për mbjelljen e disa drunjve të cilët kontribuojnë në jetën dhe cilësinë e jetën qytetarëve tanë. Atëherë siç ne dimë të ruajmë edhe natyra dinë të na ruaj neve”, ka theksuar ai.

E, ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Sjernvall theksoi nevojën për mbrojtjen e tokës, duke shtuar se mbjellja e këtyre drunjve është e mrekullueshme.

“Mendoj se është një gjë shume e mirë kur bizneset tregohen përgjegjëse për qytetin e tyre dhe për qytetarët, ata po punojnë së bashku dhe po përpiqen ta bëjnë një qytet shumë më të këndshëm për qytetarët dhe gjithashtu po mendojnë për nivelin e oksigjenit, unë jam vërtet e kënaqur që jam këtu, dhe mendoj se është një ide e shkëlqyeshme”, tha Stjernvall.

Në parkun e Dardanisë, një fidan ka mbjellë edhe ambasadorja e Maqedonisë së Veriut, Shpresa Jusufi ka bërë thirrje që të gjithë të kontribuojnë në ruajtjen e tokës.


“Është ditë e rëndësishme, kjo ditë është vetëm simbolike. Ne duhet të bëjmë këtë më shpesh, edhe duhet të kemi kujdes për natyrën, sepse ajo na duhet neve. Edhe ne i duhemi natyrës, është shumë iniciativë e mirë”, ka shtuar ajo.

Nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli tha se mbjellja e këtyre fidaneve është e mirëseardhur për komunën, meqë Prishtina ka nevojë për sensibilizim.

“Mbjellja e pemëve kudo që jemi është jetë. Fakti që pema zhvillohet në tokë dhe aty fillon jeta, njerëzit duhet të gjejnë mundësi dhe të bashkëjetojnë edhe me pemën. Mbjellja e këtyre pemëve për komunën tonë është një shtytje e mirë që dihet se Prishtina dhe konfiguracioni i saj kanë nevojë për gjelbërim”, tha Pacolli.

Dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, Bedri Dragusha shtoi se nuk mjafton vetëm një ditë për të mbrojtur tokën.

“Dita e tokës nuk është vetëm kjo ditë, por është 365 ditë gjatë tërë vitit. Këto fidane që u mbollën tani është vetëm një udhërrëfyes që të vazhdojnë mbylljen edhe më tej. Dita e tokës nuk do të thotë vetëm fidanë, por edhe ajri, toka, uji, organizmat dhe kështu me radhë”, u shpreh ai.

Në ditën Ndërkombëtare të Tokës, gjatë ditës do të shënohen edhe disa aktivitete të tjera me qëllim të ngritjes së vetëdijes për mbrojtjen e mjedisit.

Lexo edhe

Video

error: