OAK kërkon nga Ministria e Financave kompensim të dëmit që i’u është shkaktuar bizneseve

OAK kërkon nga Ministria e Financave kompensim të dëmit që i’u është shkaktuar bizneseve

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) përmes një shkrese zyrtare i është drejtuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve ku si përfaqësuese e mbi 500 (pesëqind) bizneseve anëtare ka kërkuar kompensimin e dëmit të shkaktuar bizneseve nga Vendimi i fundit i Qeverisë nr.01/32 i datës 28.08.2021, për masat e përgjithshme dhe të veçanta lidhur me kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid – 19, sipas të cilit bizneseve dhe punëtorëve i’u është kufizuar e në disa raste edhe ju është ndaluar në tërësi e drejta e punës, e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventa Ndërkombëtare.

Referuar Vendimit të lartëpërmendur është kufizuar puna e gjithë operatorëve ekonomik, duke përfshirë gastronominë, hotelierinë, e në mënyrë indirekte është prekur puna e të gjithë sektorëve tjerë ekonomik, është kufizuar orari i punës për bizneset, kështu i janë shkaktuar dëme të mëdha bizneseve dhe njëkohësisht edhe punëtorëve, të cilat veç filluan paksa ta marrin veten nga mbylljet totale dhe kufizimet e shumta që ju kanë bërë që nga fillimi i pandemisë Covid-19.

Andaj OAK kërkon nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve që të kompensohet dëmi i shkaktuar bizneseve me masat e fundit të cilat sipas Vendimit të Qeverisë ashtu që të mbulohen humbjet nga ndalimi i menjëhershëm, shpenzimet e qirasë për biznese në shumë prej 50 % të lartësisë së qirasë dhe 50 % e pagës së punëtorit, thuhet në letrën e dërguar.


OAK vlerëson se fatale për gjendjen e bizneseve në vend janë vendimet e shpejta dhe pa paralajmërim, e të pakoordinuara dhe pa konsultim paraprak me sektorin privat, kështu duke shkaktuar humbje të mëdha në stoqet e grumbulluara e të planifikuara me rastin e ushtrimin të aktiviteteve të tyre afariste, pamundësi të realizimit dhe përmbushjes së kontratave me klientët e tyre të kontratuara që më parë, detyrim për kthim të avanseve dhe kapareve, dëme materiale dhe jo materiale, si dhe probleme të shumta me sigurimin e pagave për punëtorët.

Problem tjetër mbetet edhe trajtimi jo i barabartë dhe shkelja e Kushtetutës së Kosovës pasiqë janë duke u diskriminuar punëtorët e sektorit privat në raport me të punësuarit në sektorin publik, ku këta të fundit janë duke marrë paga të plota përderisa janë duke qëndruar në shtëpi. Në këto raste do të duhet që të punësuarit e sektorit publik të merrnin paga minimale, e pjesa tjetër e atyre mjeteve të dedikohej për mbështetje të të punësuarve të sektorit privat, si qytetar të një shteti, me të drejta dhe detyrime të barabarta sipas Kushtetutës.

OAK është e vetëdijshme se shëndeti është mbi të gjitha dhe i përkrahim plotësisht vendimet në mbrojtje të shëndetit publik, por vendimet e shpejta për ndalimin e të drejtës së punës dhe ushtrimit të veprimtarisë së biznesit i dëmton edhe më shumë qytetarët dhe biznesin duke marrë parasysh obligimet që këta i kanë për jetesë, blerje të medikamenteve për trajtim, pagesat e kredisë, qirasë apo investimet që tashmë i kanë bërë.

Rikujtojmë se nga fillimi i pandemisë, punëtorët e sektorit privat dhe biznesi janë detyruar që në forma të ndryshme të gjejnë alternativa e të mbijetojnë, meqenëse vazhdimisht ndihma që është ofruar nga shteti ka qenë shumë e vobekët, përderisa vendimet për mbyllje kanë afektuar direkt te këta të fundit. 

Lexo edhe

Video