Nxënësit e klasës së parë arritën të ulen në bankat shkollore

Dyert e shkollave u hapen sot pas më shumë se një muaj grevë, me vendimin e sindikalistëve. Ajo kishte nisur më 25 gusht dhe tani u pezullua deri në janar të vitit 2023.

Shkollat më në fund janë mbushur me nxënës, e po ashtu edhe shkolla fillore “Elena Gjika”. Nxënësit e klasës së parë, arritën ti ndjejnë emocionet e para dhe të ulen për herë të parë në bankat shkollore. Nxënësit e kësaj shkolle ishin të gëzuar që janë ulur në banka për të mësuar dhe ishin të gatshëm për rrugëtimin e tyre të ri. Drejtori i shkollës, Betim Sylejmani tha se sot filloi procesi mësimor dhe gjithçka deri më tani ka shkuar mbarë.

“Siç e dini, pas një muaji me proces të ndërprerë të mësimit, sot filloi procesi mësimor dhe gjithçka deri më tani ka shkuar mbarë… Klasat e para siç e patë edhe ju, sot e kishin ditën e parë, një prej ditëve më të rëndësishme të jetës së tyre dhe filloi më së miri që është e mundur. Gjithmonë është dita e parë për ta, edhe pse humbjet të cilat janë shkaktuar nga greva do të jenë evidente më vonë, por po shpresojmë se të gjitha do të kompensohen dhe do t’i arrijnë rezultatet e nevojshme”, tha ai.

Sipas tij, mësimdhënësit kanë qenë dhe janë të gatshëm që gjithmonë të punojnë me fëmijët.

“Ne kemi filluar nga e para, sikur të ishte 1 shtatori, për më shumë do të shohim. Mirëpo, këto vitet e fundit jemi mësuar dhe jemi adaptuar me këto vonesat e fillimvitit shkollor. Por, besoj se rezultatet e parapara në kurrikulë do t’i arrijmë së bashku me stafin e shkollës… (çka pas 1 janarit), për ne është diçka që nuk dihet. Për ne është e rëndësishme që sot ka filluar mësimi dhe gjithçka ka shkuar mbarë, fëmijët dhe prindërit kanë qenë të lumtur sepse është një vonesë goxha  e madhe. Po ashtu, edhe mësimdhënësit, të gjithë kanë filluar sepse çdo ditë secili mësimdhënës ka pritur që të fillojë procesi mësimor”, tha ai.

Një nga prindërit e kësaj shkolle Myrvete Basha, për KosovaPress tha se është shumë e lumtur që ka filluar mësimi dhe falënderoi sindikalistët për pezullimin e grevës.

“Faleminderit shumë mësimdhënësve që pezulluan grevën, i gëzuan fëmijët sidomos për këta të klasës së parë kjo ditë është e papërshkrueshme. Jemi për ti rritur rrogat por më mirë me fillu mësimi. Kemi nxjerr fëmijët nga shtëpia sot janë shumë të gëzueshëm. U jemi shumë mirënjohës mësimdhënësve dhe këshillit grevist që na ka bërë të mundshme t’i dërgojmë fëmijët në shkollë. Fëmijët janë shumë të lumtur nuk ka fjetur fare prej gëzimit që vjen në shkollë dhe fillon mësimi, po bëhet bashkë me shoqe, është ndryshe kur vjen në shkollë”, tha ajo derisa për zëvendësimin e orëve tha se u mbetet mësuesve të vendosin.

E të lumtur se tashmë janë ulur në bankat shkollore u shprehën nxënësit e klasës së parë. Asja Tupërlaku tha se, Jam gëzuar kur e kam parë mësuesin për herë të parë.


“Unë jam Asja dhe shumë jam gëzuar kur e kam parë mësuesin për herë të parë”, tha ajo.

Një tjetër nxënës, Shpat Berisha shprehu po ashtu gëzimin për fillimin e mësimit.

“Unë shumë jam gëzuar që ia ka nis shkolla”, u shpreh ai.

Arietë Bajrami, mësuese e klasës së parë në këtë shkollë është shprehur po ashtu e lumtur që mësimi ka filluar të mbahet sot. Ajo për KosovaPress tha se do të jetë e veshtirë ta zënë hapin pas orëve të humbura, porse është shprehur e gatshme që në çdo formë ta lehtësojë procesin mësimor.

“Zhurma të këndshme që i kanë munguar shkollës, buzëqeshje të shumta të fëmijëve. Bletët e mija punëtore veç sa kanë hyrë brenda, një kënaqësi tejet e veçantë…Ka me qenë e vështirë, sigurisht ka me qenë sfiduese edhe për mësimdhënësit, sidomos për klasën e parë, mirëpo ne do të mundohemi ta bëjmë maksimumin më të mirën për fëmijët që ta gjejmë një formë më të lehtë, me lehtësu plan programin ose rezultatet, me gjet metodologji më të reja që me ua lehtësu gjithë procesin mësimor në fund”, tha ajo.

Ajo për orët e humbura tha se çfarëdo që të ketë nevojë për fëmijët, janë të gatshëm ta bëjnë.

Ndërsa sa i përket grevës nëse do të ketë sërish, ajo tha se asnjëri nga mësimdhënësit nuk është i gatshëm t’i vendos fëmijët sërish ne shtëpi.

“Nuk e besoj që jemi, asnjëri nga mësimdhënësit nuk është i gatshëm që t’i vendos fëmijët sërish ne shtëpi, sidomos tani që mezi filluam, nuk besoj që dikush prej nesh do ta merr atë hap e ta bëjë të njëjtin gabim”, tha ajo./D.Gashi/

Lexo edhe

Video