Përmbajtjet “deep fake”, inteligjenca artificiale, lajmet e rreme e ato me qëllim keqdashës, po konsiderohet se janë trend në rritje, duke u bërë “armiq të përbetuar” të së vërtetës. Ndërkaq, çdo herë e më shumë rritet nevoja që të rinjtë të informohen rreth kësaj dukurie.
Kështu u tha në trajnimin e sotëm, ku mbi 20 nxënës bashkë me mësimdhënësit e tyre nga komunitetet rom, ashkali, egjiptian e ai boshnjak, të shkollave të mesme në Pejë, janë trajnuar mbi edukimin mediatik.
Nxënësi nga komuniteti egjiptian, Argjentin Elezaj, i cili vijon mësimet në klasën e 12-të të shkollës ekonomike “Ali Hadri”, thotë se gjatë trajnimit, përshtypje i bëri se si “deep fake” mund të arrijë që të manipulohet me fytyrën dhe zërin e dikujt. Ai shtoi se do të ketë mendim kritik tash e tutje rreth fotografive dhe videove që qarkullojnë në media.
Muriq potencoi se pas trajnimit mësoi se “jo gjithçka që shohim është e vërtetë”.
“Gjërat e reja që i mësuam rreth keqinformimit dhe dezinformimit. Gjithashtu, efekti i “deep fake” që e përmendëm, më bën të kem mendim kritik rreth asaj çka shohim. Më bëri përshtypje edhe diskutimi që u përfshimë të gjithë për të treguar rreth shembujve që kemi parë vetë…Gjatë trajnimit folëm edhe për inteligjencën artificiale, e cila është gjithmonë në rritje, ku pamë se gjithçka që shohim nuk është e vërtetë”, theksoi Muriq.
Menaxheri i këtij projekti, Fadil Miftari potencoi se qëllimi kryesor është vetëdijesimi dhe ndërgjegjësimi i të rinjve që të jenë të aftë për t’u mbrojtur nga informacionet e pasakta.
“Në radhë të parë, qëllimi kryesor është vetëdijesimi i të rinjve, se çfarë janë dezinformomi, keqinformimi dhe mënyrat e dhënies dhe absorbimit të informacioneve të pasakta. Kjo në botën e sotme ekziston një mundësi jashtëzakonisht e madhe që mekanizma të ndryshëm të shpërndajnë informacione të pasakta. Qëllimi kryesor i kësaj iniciative ose projekti është vetëdijesimi dhe ndërgjegjësimi i të rinjve që të jenë të aftë të mbrohen nga dezinformimi… Ky diskutim i sotëm është i pari nga seria e dytë e trajnimeve. Seria e vitit të kaluar ishte e kësaj natyre. Diskutimi i sotëm m’u duk shumë përmbajtësor. Të rinjtë ndonëse shumica përdorin pajisje të digjitalizuar sot dhe i ekspozohen rrezikut të absorbimit të informacioneve të pasigurta dhe këtu e pashë që ishin të ngazëllyer pasi morën informacione të mjaftueshme se si të mbrohen dhe t’iu shmangen absorbimit të informacioneve të pasigurta”, tha Miftari.
Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për komunitetet joshumicë në Kosovë”, mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë./Z.Zeneli/