Mungesa e gjumit mund të ndikojë negativisht në shëndet, duke rritur rrezikun e problemeve si lodhja, reduktimi i përqendrimit dhe kujtesës, madje edhe sëmundjet e zemrës. Kjo u konfirmua nga një sondazh i fundit që përfshin një milion njerëz në gjashtë vende. Studimi tregoi se gjumi më pak se shtatë orë rrit rrezikun e zhvillimit të presionit të lartë të gjakut me shtatë për qind, dhe më pak se pesë orë e rrit këtë rrezik me 11 për qind. Gjetjet, të prezantuara në takimin vjetor shkencor të Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë në SHBA, treguan se femrat janë në rrezik më të madh se meshkujt, shkruan “The Mirror”.
“Sa më pak të flini, aq më shumë ka gjasa që të zhvilloni presion të lartë të gjakut në të ardhmen. Ajo që po shohim është se mungesa e modeleve të mira të gjumit mund të rrisë rrezikun e presionit të lartë të gjakut, i cili e dimë se mund të ndikojë në sëmundjet e zemrës dhe goditjen në tru,” tha studiuesi kryesor i studimit, Kaveh Hosseini. Për qëllimin e studimit, shkencëtarët shqyrtuan të dhënat nga 1 milion e 44 mijë e 35 njerëz nga gjashtë vende që nuk kishin presion të lartë të gjakut në fillim të studimit.