Nuk u solidarizua me LGBT në ndeshjen e PSG, Geuye kritikohet ashpër

Nuk u solidarizua me LGBT në ndeshjen e PSG, Geuye kritikohet ashpër

Një grup që lufton homofobinë në futboll i ka bërë thirrje ligës franceze dhe Paris Saint-Germain që t’i kërkojnë lojtarit Idrissa Gueye një shpjegim, pasi që ky i fundit refuzoi të paraqitej në ndeshjen e PSG javën e kaluar për shkak të ngjyrave të ylberit në fanellë.

Geuye udhëtoi me PSG drejt Montpellier fundjavën e kaluar për ndeshjen e së shtunës në ligën franceze, por nuk luajti, ku trajneri i PSG-së, Mauricio Pochettino, tha se lojtari kishte “arsye personale” për të justifikuar mungesën e tij në fushë, përcjell KosovaPress.

Për të dytin sezon radhazi, klubet profesionale ishin ftuar të etiketonin fanellat e lojtarëve të tyre me numra me ngjyra duke përdorur flamurin ylber, simboli i lëvizjes LGBTQ.

Sipas radios franceze “RMC”, Gueye nuk dëshironte të vishte një numër me ngjyrë ylberi në pjesën e pasme të fanellës së tij.

Grupi “Rouge Direct” tha në një mesazh të postuar në “Twitter” se PSG dhe liga franceze nuk duhet të përjashtojnë mundësinë e sanksionimit të Gueye.


“Homofobia nuk është një opinion por një krim”, shkruante ndër të tjera në komunikatën e grupit.

Rasti në fjalë mori një kthesë politike, ku Valerie Pecresse, kandidatja konservatore në zgjedhjet presidenciale franceze muajin e kaluar, iu bashkua kritikave ndaj Gueye.

“Lojtarët e një klubi futbolli, dhe ata të PSG-së në veçanti, janë figura identifikuese për të rinjtë tanë. Ata kanë për detyrë të japin shembull. Një refuzim i Idrissa Gana Gueye për t’iu bashkuar luftës kundër homofobisë nuk mund të qëndrojë pa u sanksionuar!”, shkruante në “Twitter”, Pecresse.

Thirrjet homofobike, të dëgjuara shpesh në ndeshjet e ligës franceze, janë toleruar për një kohë të gjatë nga shumë zyrtarë të klubeve dhe autoritetet e futbollit kanë luftuar për të gjetur mënyrat e duhura për ta trajtuar këtë çështje.

Megjithatë, liga franceze nisi një plan veprimi tre vjet më parë, duke i lejuar shikuesit të raportojnë incidente seksiste, homofobike ose raciste që ata dëshmojnë.

Lexo edhe

Video