Nuk ka sinjale për marrëveshje, përfundon takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel

Nuk ka sinjale për marrëveshje, përfundon takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel

Ka përfunduar takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel, pa sinjale për ndonjë marrëveshje. Kreu i ekzekutivit kosovar ende nuk është deklaruar për media ndërsa pala serbe është larguar nga ndërtesa ku është mbajtur takimi.

Në kryeqendrën evropiane janë mbajtur sot dy raunde të bisedimeve në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Fillimisht në orët e paradites është zhvilluar takimi i parë trepalësh pas të cilit, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrel dhe i dërguari i posaçëm për dialogun, Miroslav Lajcak, kanë takuar ndaras Kurtin dhe Vuçiqin.


Pas kësaj është zhvilluar edhe një takim në mes të Kosovës dhe Serbisë në praninë e përfaqësuesve të BE-së.

Pas takimit të fundit, presidenti i Serbisë është larguar nga ndërtesa e BE-së pa dhënë ndonjë deklaratë për media veçse shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka thënë para gazetarëve se shef i tij do të qëndrojë edhe për një kohë në Bruksel ndërsa publikut do t’i drejtohet të premten.

“Kompromis nuk do të ketë dhe askush nuk do të flasë nga delegacioni serb, ajo që është e rëndësishme është që ne luftuam për paqe, për stabilitet, për zgjidhje kompromisi dhe prandaj presidenti Aleksandar Vuçiq do të qëndrojë edhe për një kohë  këtu në Bruksel, pasi të kthehet në Beograd, presidenti Aleksandar Vuçiq do ti drejtohet publikut dhe do të jetë një nga fjalimet e tij më të rëndësishme për publikun, nesër pasdite ose në mbrëmje”, ka thënë ai.

Në ndërtesën ku janë mbajtur takimet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ka qëndruar edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Lexo edhe

Video