Nuhiu: Klube të tjera më kërkuan por ua mbylla dyert për Dritën

Trajneri i Dritës Ardian Nuhiu së fundi ka vazhduar kontratën me klubin nga Gjilani edhe për tre vitet e ardhshme.

Ai zbuloi se në drejtim të tij kishin arritur oferta nga klube të tjera, por që për shkak të përkushtimit ndaj Dritës, as që i kishte marrë parasysh ato.


I pyetur nga KosovaPress rreth oferta të kishte, Nuhiu u përgjigj duke thënë se kishte tentativa nga klube të ndryshme, por që nuk i ka marrë parasysh për shkak se me Dritën kanë projekte afatgjata të cilat duna t’i vazhdojnë edhe më tutje.

“Nuk diskutohet, nuk kam lejuar që të vijnë në kontakt, pavarësisht që ka pasur tentativa, thjeshtë jam përqendruar, jam ndjerë mirënjohës edhe nga pronarët që më është dhënë besimi që të vazhdojmë këtë projekt të cilin e kemi nisur gati katër vite që jam pjesë e klubit. E dini shumë mirë se sa e vështirë është bërë tani në kohën e fundit për një trajner, kurse unë kam gjetur një mbështetje maksimale si nga pronarët, udhëheqësit gjithashtu tifozët dje mendoj që deri tani jemi duke bërë një punë të mirë. Dua të vazhdojmë sepse jemi ndoshta vetëm në gjysmë rrugë për atë çfarë duam të arrijmë. Do të thotë i kemi të qarta synimet, vizionet që tani më në arenën ndërkombëtare të ecim edhe një hap më lartë këtë vit, do të ishte e bukur si për klubin tonë ashtu edhe për futbollin kosovar.”, tha Nuhiu.

Ndryshe, Drita do të kërkojë ta fitojë Kupën e Kosovës, trofe i cili kësaj skuadra i mungon për më shumë se 20 vite.

Lexo edhe

Video