Non-grata në Kosovë, gazetari prorus në listën e sanksioneve britanike

Non-grata në Kosovë, gazetari prorus në listën e sanksioneve britanike

Gazetari dhe blogeri Graham Phillips që në vitin 2019 ishte shpallur persona non-grata në Kosovë, tashmë është futur në listën e personave të sanksionuar nga Qeveria e Britanisë së Madhe.

Për shpalljen e tij person i padëshiruar në Kosovë kishin raportuar edhe mediet ndërkombëtare, përfshirë ato britanike.

Phillips ishte ndaluar edhe nga Ukraina, por arriti të kthehej në vend menjëherë pasi forcat seperatiste ruse filluan agresionin e tyre ushtarak.

Ai është një nga 42 personat e përmendur në listën e fundit të sanksioneve. Lista përfshinë liderët e të ashtuquajturave Republika Popullore të Donetskut dhe Luhanskut dhe 29 guvernatorë rajonalë anembanë Rusisë.


Kjo lëvizje do të thotë se propagandistit pro-Kremlinit do t’i bllokohen asetet e tij në Britani të Madhe.

“Ai [Graham Phillips] ka prodhuar dhe publikuar përmbajtje mediatike që mbështet dhe promovon veprime dhe politika që destabilizojnë Ukrainën dhe minojnë ose kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin ose pavarësinë e Ukrainës”, thuhet në arsyetimin e qeverisë britanike.

Graham është i vetëshpallur si “gazetar ushtarak britanik”. Ai fillimisht u shfaq në skenën ukrainase, duke raportuar për armiqësitë e dobishme për Kremlinin, ndërkaq punonte si korrespondent për kanalet televizive ruse RT (Russia Today) dhe Zvezda. Këto dy media janë të kontrolluar nga Kremlini.

Ministria ruse e Mbrojtjes pati njoftuar publikisht se gazetarët e Zvezda konsiderohen si përfaqësues të forcave të armatosura. Pas kërkesës së shumë qytetarëve, Phillips ishte larguar edhe nga Twitteri pasi që bënte propagandë dhe shpërndante gënjeshtra si për Kosovën ashtu edhe për Ukrainën.

Lexo edhe

Video