No Fake News, platforma që po lufton lajmet e rreme rreth COVID-19 në Kosovë

Një grup të rinjsh në Prishtinë kanë ngritur platformën No Fake News me qëllim të informimit sa më të drejtë të qytetarëve në lidhje me lajmet që kanë të bëjnë rreth COVID-19. Po ashtu, në këtë platformë mund të raportohet lajme të cilat mendohet se nuk janë të vërteta.

Si një iniciativë e lindur në kohë të pandemisë, kjo platformë operon si makinë kërkuese ku përdoruesit mund të verifikojnë nëse lajmet që po ju shërbehen janë te sakta apo anasjelltas.

Kjo platformë ndjek lajmet që janë më në trend e të cilat kanë ndikim më të madh tek audienca dhe i përcakton në mënyre manuale duke u angazhuar me gazetarët e tyre që të marrin burimin e lajmit për ta identifikuar nëse është i rrejshëm apo jo.

Në këtë portal mund të hyni dhe ta verifikoni lajmin në bazë të shenjave “Fake” (Gënjeshtër) dhe “Real” (E vërtetë) të cilat e përcaktojnë vërtetësinë e lajmit, por ka edhe një kategori që është ajo e lajmeve pozitive ku mund të lexoni lajme rreth numrit të të shëruarve apo përparimit që po bën shkenca rreth gjetjes së një vaksine.

Një nga iniciatorët për ngritjen e kësaj platforme, Olta Abazi, thotë se ka numër të madh të lajmeve të rreme.

Sipas saj, ato vijnë kryesisht nga disa portale anonime, mbrapa të cilave nuk dihet se kush qëndron, por që ndonjëherë në kurthin e të cilave bien edhe disa media që kategorizohen serioze duke publikuar lajmet e tyre të pavërteta.

“Na e kemi filluar prej kohës kur të gjithë kanë qenë në karantinë edhe prej aty e kemi vërejtur që ajo ka ndikuar që trendi i rritjes së lajmeve të rrejshme të jetë shumë më i madh, ndoshta ka mjaftuar një portal që veç është hapur në kohë të pandemisë me përhap një lajm edhe atij lajmi iu ka dashur shumë pak kohë që të dalë nëpër media, ndoshta shumë shpesh ka ndodhë që edhe mediat serioze te cilat janë në Kosovë kanë ra pre e një lajmi të tillë prej një portali që, as burimin nuk e ka të sigurt, as nuk i dihen gazetarët ose autorët ose diçka kështu që është një numër mjaftë i madhe i lajmeve ‘fake’ te na”, deklaroi Olta Abazi.


Në mënyrë që gjithsecili të kontribuojë në këtë iniciative, ekipi punues ka zhvilluar një formë ku përdoruesve u mundësohet të kontribuojnë duke raportuar lajme te dyshimta të cilat ju shfaqen gjatë shfletimit në rrjete sociale apo kanale të tjera digjitale.

Lajmet e rreme kanë ndikuar edhe në shëndetin e njerëzve. Sipas Oltës, në fillim kur është hapur platforma janë marrë me lajmet që sugjeronin produkte që shëronin koronavirsun.

Sipas saj, njerëzit e kanë pësuar duke menduar se një medikament shëronte COVID-19 dhe kështu kanë përkeqësuar shëndetin e tyre.

“Përhapja e ‘fake news’ është një gjë që përveç që ka ndikuar në shoqëri që njerëzit të informohen keq, ka ndikuar edhe në shëndetin e tyre. Na kemi pasur raste në fillim të platformës ku ka mjaftuar një portal që ka shpërndarë një lajm për një ‘X’ medikament që e shëron koronavirusin dhe krejt asaj iu ka dashur që për një periudhë të shkurtër që njerëzit të fillojnë të ndikohen prej saj dhe të përkeqësohet gjendja shëndetësore prej atij medikamenti pasi njerëzit atë informacion e kanë marrë si të mirëqenë dhe kanë vazhduar të ndjekin ato procedura që kanë thënë. Një rast tjetër ka qenë me alkool, njerëzit kanë filluar të përdorin alkool mjaft shumë duke menduar se koronavirusi largohet prej alkoolit”, u shpreh ajo.

Besart Abazi është një tjetër i ri i cili është pjesë e grupit prej 13 vetash të cilët janë në krye të luftës me lajmet e rreme të cilat mund t’i hasni në rrjet.

Besarti thotë se fokusi i platformës mbeten lajmet rreth COVID-19 ndërsa më vonë mund të zgjerojnë fushën duke u marrë edhe me të tjera lajme të rreme që prekin profilet e tjera.

“Përafërsisht numri i lajmeve të rreme shkon deri në 5-10 që dalin në ueb-sajtin tonë , por ka edhe lajme të vërteta dhe lajme pozitive , për shembull te rubrika e lajmeve pozitive i kemi lajmet kur të prekurit me COVID dalin me numër të pakët dhe ata të shëruar janë më të shumtë kështu që për atë arsye për momentin jemi duke u marrë vetëm me COVID-19. Më vonë besoj që do të merremi në përgjithësi me lajmet e rreme, me lajmet në vazhdimësi deri sa të shohim që këto portale të cilat po shpërndajnë lajme ‘fake’ kanë ndikim dhe të ndalin mashtrimin e njerëzve dhe t’i ndalin këto lajme të cilat nuk na hyjnë në punë”, u shpreh Besarti.

Platforma No Fake News së shpejti pritet të kalojë në formë automatike e cila do të identifikojë videot të cilat qëllimin e vetëm e kanë shtimin e klikimeve dhe nuk kanë për qëllim të informojnë audiencën.

Lexo edhe

Video