Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

Njohësit e çështjeve juridike: Reforma do të eliminonte problemet zgjedhore

Njohësit e çështjeve juridike: Reforma do të eliminonte problemet zgjedhore

Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se në listat e partive politike për zgjedhjet e 14 shkurtit, janë 47 kandidatë të cilët janë shpallur fajtorë për vepra penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit. E njohësit e çështjeve juridike po vlerësojnë se vetëm me reformë zgjedhore do të arrihen të zgjidhen këto probleme të cilat po përsëriten në secilin cikël zgjedhor në vend.

Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se në një reformë zgjedhore duhet të specifikohet qartë që personat e dënuar, me aktakuza dhe në procese gjyqësore, të mos kenë të drejtë të garojnë fare në zgjedhje.

“Në një reformë zgjedhore duhet të ceket qartë se personat që kanë aktakuza apo janë duke u akuzuar, ndjekur apo janë duke u gjykuar, madje edhe për vepra penale të rënda si korrupsioni apo vepra tjera duhet me u ndalua me kandidua…Ne jemi vonë si Kosovë  në reformë zgjedhor absolutisht që është dashur reforma zgjedhor me u krye vite më parë  edhe me u bë që mos me i pasur këto probleme me të cilat po ballafaqohemi gjatë çdo  periudhe dhe cikli zgjedhor”, theksoi Spahija.

Spahija për KosovaPress i ka sqaruar procedurat e ankimimit të kandidatëve për deputetë që kanë probleme me ligjin. Sipas tij KQZ-ja duhet t’u drejtohet partive politike me kërkesën që ata emra të kandidatëve të zëvendësohen me emra të tjerë, më pas subjektet politike mund të ankimojnë në PZAP dhe më pas edhe në Gjykatën Supreme.

“Tash pritet që KQZ pasi ka pranuar këtë listë me marr një vendim lidhur me ato që i ka dërguar KGJK-ja, normalisht që KQZ jep vendim dhe i drejton partitë politike duke u thënë që t’i zëvendësojnë personat që kanë probleme me ligjin. Ajo që subjektet politike kanë të drejtë me bë  është me dërgua rastin në PZAP dhe më pas PZAP me marr vendim mbi çështjen që KGJK dhe këtë rast KQZ ka vendosur. Nëse palët nuk janë të kënaqura me vendimin e PZAP-së, atëherë  ato mund të ankimojnë në Gjykatën Supreme normalisht të Gjykata Supreme në afate të shkurta kohore  vendos mbi atë që është kërkuar prej saj…Konsideroj se Gjykata Supreme prapë do vendos në bazë meritore për atë që i kërkohet”, theksoi Spahija.

Sipas tij nga Gjykata Kushtetuese kandidatët për deputetë që kanë telashe me ligjet e Kosovës mund të kërkojnë vetëm interpretim.

“Realisht Gjykata Kushtetuese nuk është një gjykatë e rregullt edhe ankesa atje  nuk do ta shtynte procesin zgjedhor e as  nuk do merrej me shtyrje të këtij procesi. Madje, aty mund të kërkohet vetëm sqarim ose mund të kërkohet interpretim mbi ligjit se a është në përputhje me Kushtetutën  pasi që duket se ka një dallim mes nenit 45 të Kushtetutës dhe nenit 29, paragrafi 1, pika ç e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme .Mund t’i kërkohet Gjykatës Kushtetuese ndryshimi apo shpallje e asaj  norme nule në kuptim ose në kundërshtim me Kushtetutën që do ta bënte ligjin  jo të anulueshëm, por atë normë nuk do ta interpretonin më“, theksoi ai.

Se reforma zgjedhore do t’i zgjidhte shumë telashe me të cilat ballafaqohet sistemi zgjedhor në Kosovë e thotë edhe Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.


Ai thotë se reforma zgjedhore është premtim i partive politike në fushatë dhe në çdo qeveri, por po mbetet vetëm si premtim pasi nëse ndodh në praktikë pengohet realizimi i interesave partiake.

“Një reformë zgjedhore është e nevojshme tash e sa vite. Nëse i shohim programet e partive politike që dalin në zgjedhje por gjithashtu edhe programet legjislative të qeverive pas zgjedhjes së tyre  secila prej tyre ka edhe ligjin për zgjedhje dhe  reformën zgjedhore, por të njëjtën nuk e realizojnë  në praktikë. Nuk e realizojnë për arsye se kjo pastaj i pengon edhe në realizimin e interesave të ngushta partiake të cilat po mbizotërojnë pastaj në skenën tonë politike. Ka shumë probleme në sistemin tonë zgjedhor tash na doli edhe problem shumë i madh edhe  ky neni 29 i Ligjet për Zgjedhje, paragrafi 1, pika ç, i cili përcakton se asnjë person nuk  mund të kandidojë nëse në tri vitet e fundit ka pasur vendim të  plotë-fuqishëm me të cilin është dënuar, nuk e përcakton  as llojin e dënimit dhe as lartësinë e dënimit e as llojit e veprës”, deklaroi ai.

Edhe Zekaj ka treguar rrugët ligjore që mund t’i ndjekin kandidatë për deputetë të cilët nuk janë certifikuar.

“Njoftimin e KQZ-së ndaj partive politike me këtë numër prej 47 kandidatëve për deputet të cilët bien ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e shohim vetëm si një zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe krejt kjo që rrjedh nga ky vendim është përkatësisht derivat i këtij procesi. Tanimë të gjithë këta 47 persona potencialisht që mund të pakënaqur me këtë vendim në momentin që do konfirmohet se nuk do certikfohen nga KQZ ata kanë të drejtë që të fillojnë procesin e ankimimit i cili shkon nga Paneli Zgjedhor për Ankesa (PZAP), dhe nëse të njëjtit nuk janë të kënaqur me vendimin që do e  marr PZAP dhe tani e kanë edhe një shkallë që është Gjykata Supreme dhe këtu shteren mjetet e brendshme juridike të procesit zgjedhor për këto zgjedhje…Pas shterjes së të gjitha mjeteve të brendshme juridike  si PZAP dhe Gjykata Supreme kandidatë e pakënaqur me vendimin dhe ata që pretendojnë që iu janë shkelur të drejtat kushtetuese të tyre, përkatësisht që pretendojmë edhe ne se ka kufizim të të drejtave kushtetuese nga neni 45 i Kushtetutës, mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të konsideruar një vendim të tillë si vendim kundër kushtetues me të cilit janë kufizuar të drejtat kushtetuese për të qenë pjesë e këtij procesi zgjedhor”, theksoi Zekaj.

Sipas një liste që tashmë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka marr nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës janë 47 kandidatë për deputetë që kanë telashe me ligjin.

Lidhur me këtë, KQZ do të marrë vendim deri më 22 janar, ndërsa partitë politike mund të paraqesin ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe pastaj në Gjykatën Supreme.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili është i dënuar me kusht në shkurt të vitit 2018 për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se pavarësisht kësaj do të jetë bartës i listës.

E PDK-ja dhe LDK-ja kanë pranuar që kandidatët të cilët nuk janë certifikuar nga KQZ-ja t’i heqin nga listat e tyre për deputetë, duke i zëvendësuar me emra të rinj.

Lexo edhe

Video

error: