Njihuni me platformën Akademia, sistemi i parë anti-plagjiaturë në rajon

Njihuni me platformën Akademia, sistemi i parë anti-plagjiaturë në rajon

I diplomuar në “University of Sheffield” Selanik, në drejtimin Kontabilitet dhe Financa, Besart Kunushevci, është ndër personat e parë që solli një platformë anti-plagjiaturë në Kosovë.

Në një intervistë për Akademi Pune, ai tregoi se çka e shtyri të krijonte platformën Akademia, platformë kjo që do të njihej si e para për anti-plagjiaturë në rajon. Gjatë intervistës, ai rrëfeu më shumë rreth krijimit të kompanisë si dhe për sfidat me të cilat u ndesh gjatë rrugës.

“Praktikisht Akademia është themeluar gjatë kohës që kam studiuar në Selanik. Gjëja e parë që isha i ekspozuar ka qenë një platformë anti-plagjiaturë në universitet dhe gjatë kohës që më është dashtë të dorëzoj punime isha i preokupuar se çka ishte plagjiatura në të vërtet. Si ide filloi në vitin 2015, ndërsa zyrtarisht kemi filluar në gusht të vitit 2016 kur jemi regjistruar si biznes dhe kemi filluar me prototipin e parë duke marrë komente nga profesorë, universitete, si dhe duke kontaktuar ministri të ndryshme për ta kuptuar se si funksionon tregu” rrëfen fillimisht Besarti.

Edhe pse studionte jashtë vendit, Besarti ishte në kontakt të vazhdueshëm me shokët dhe shoqet në Kosovë duke shkëmbyer ide dhe përvoja të ndryshme me ta. Gjatë këtyre bisedave, ai e kuptoi se ekzistonte një tendencë që studentët t’i dorëzonin punimet sa më shpejt në fakultetet përkatëse ku studionin dhe këtë gjë e bënin duke i shkëmbyer punimet ndërmjet vete.

Nëpërmjet hulumtimeve që realizoi, doli në përfundim se edhe me punimet e diplomave kishte parregullsi, këtu përmendi disa dukuri negative në vendin tonë; se si disa studentë bashkoheshin dhe paguanin dikë që t’ua punonte temën për ta, e pastaj atë temë e shpërndanin nëpër universitete të ndryshme.

“Duke parë shumë parregullsi në tregun e Kosovës, gjegjësisht në sektorin e arsimit të mesëm dhe të lartë, pashë nevojën që të krijoj diçka për tregun shqipfolës që do ta zgjidhte problemin e plagjiaturës. Kur fillova ta analizoj tregun, pashë që kishte shumë skandale të plagjiaturës të cilat nuk ishin trajtuar si rrjedhojë e mungesës së një sistemi të mirëfilltë anti-plagjiaturë. Ka gjithsej 20 platforma të tilla në botë, mirëpo asnjëra nga ato nuk ofrojnë mbështetje për gjuhën shqipe dhe momentin që e kemi hasur këtë zbrazëti brenda tregut, ne filluam të mendonim për një zgjidhje të këtij problemi dhe ta ofrojmë këtë shërbim”.

Një sukses tejet i madh i platformës Akademia ishte kur arritën të pranohen në programin Microsoft for Startups. Besarti tregoi se sa e rëndësishme ishte kjo për kompaninë e tij ndërsa tani bashkëpunimi me Microsoft vetëm se është duke u rritur.

“Fillimisht dua të jem i sinqertë se në dy tentimet e para kur kemi aplikuar jemi refuzuar, por ajo që bëri diferencën herën e fundit kur u pranuam ka qenë sistemi i quajtur Crossplag që ne e kemi emëruar dhe e kemi bërë trademark. Ky sistem ka për qëllim të ofrojë shërbime ndërgjuhësore. Kjo nënkupton nëse ju e ngarkoni një dokument në gjuhën shqipe automatikisht e përkthen në njërën nga 30 e më shumë gjuhë të cilat ne i kemi në sistemin tonë. Madje, nëse doni ta përktheni dhe analizoni një dokument në gjuhën angleze, sistemi ju mundëson që ai dokument të kontrollohet me të gjithë literaturën që është e gatshme në gjuhën angleze”.

Besarti foli edhe rreth krijimit të versionit të parë të sistemit Crossplag në vitin 2018. Atë ia ofruan një gupi të hulumtuesve në Bashkim Evropian që janë pjesë e “European Network for Academic Integrity”, rrjet ky që përbëhej prej 10 ekspertëve të cilët ishin të vetmit në botë në aspektin e vlerësimit anti-plagjiaturë.

“Ne ishim në garë së bashku me 15 kompanitë më të mëdha në botë që kanë fokus anti-plagjiaturën, por asnjëra nga to nuk ka arritur të kalojë asnjë prag minimal për të ofruar shërbime cilësore cross lingual (ndër-gjuhësore). Pra, ne kemi qenë të vetmit që kemi tejkaluar pragun. Në vitin 2020, me ndihmën e hulumtuesve kemi realizuar një rivlerësim të gjendjes se ku jemi dhe sipas rezultateve jemi ndër top 3 platformat më cilësore në botë në aspektin e gjuhëve dhe jemi të pakontestueshëm sa i përket sistemit cross lingual”.

Puna dhe përkushtimi i Besartit së bashku me ekipin e tij mori vëmendjen e kompanisë gjigante Microsoft. Kësisoj, ata ja dolën të bëhen pjesë e rrjetit të Microsoft for startups, rrjet ky që ofron shumë përfitime për bizneset e reja. Sipas Besartit kjo nënkupton se tash e tutje ata do të kenë mundësi t’i ofrojnë shërbimet e tyre partnerëve të Microsoft apo rrjetit të tyre.

“Ende jemi në fazën fillestare të bashkëpunimit, mirëpo gradualisht deri në fund të verës jemi duke planifikuar që së bashku me analistët e biznesit dhe “sellers” që janë brenda Microsoft të krijojmë një profil të duhur brenda Microsoft Network, si dhe të fillojmë me shitje edhe në tregun ndërkombëtar”.

Platforma “Akademia” me shërbimet që ofron ka ndihmuar në masë të madhe sistemin e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë. Besarti tha se kompania e tij ka marrëveshje përmes Ministrisë së Rrjetit Akademik Shqiptar që ta ofrojnë sistemin anti-plagjiaturë për të gjitha universitetet publike në Republikën e Shqipërisë.


“Shqipëria është tejet përpara në aspektin e trajtimit të këtyre temave që janë pak më të nxehta në arsim siç janë plagjiatura, vetingu i profesorëve, pedagogëve etj. Kjo po ashtu ka ardhur si nevojë e protestës që ka ndodhur atje në vitin 2019, ku aty praktikisht studentët kanë kërkuar që të verifikohen punimet e diplomës. Kjo kërkesë ka ardhur nga studentët, gjë që është mjaft premtuese pasi ata kanë kërkuar arsim më cilësorë”.

 “Akademia” bashkëpunon me kompani të ndryshme, vendore dhe ndërkombëtare

Sa i përket bashkëpunimeve me kompani vendore dhe të huaja, Besarti theksoi se janë kompani mjaft fleksibile si në ofrimin ashtu edhe në pranimin e këshillave. Akademia ka bashkëpunim të ngushtë me ICK, Gjirafa si dhe Shkollën Finlandeze. Me këtë të fundit madje kanë krijuar një lojë tërheqëse të quajtur “KOONTA”.

Sipas Besartit kjo lojë iu mundëson fëmijëve simulimin e jetës reale brenda shkollës, pasi që ata mësojnë se çka është TVSH, tatimi në qira, kompanitë teknologjike, funksionimi i bankave si dhe aktivitete tjera. Kjo lojë zgjeron kreativitetin e fëmijëve dhe i përgatitë ata për jetën e përditshme se si t’i menaxhojnë këto obligime në të ardhmen.

“Ne jemi të pozicionuar si kompani teknologjike me fokus në edukim, do të thotë nuk bëjm “outsourcing” apo produkte jashtë domainit tonë. Kryesisht ne ofrojmë produkte dhe shërbime në fushën e edukimit dhe teknologjisë”.

“Plagjiatura në Kosovë është mjaft e pranishme”

Në bazë të një hulumtimi të kryer në Kosovë në lidhje me përhapjen e plagjiaturës, Akademia ka dalë në përfundim se plagjiatura fatkeqësisht është mjaft e përhapur.

Ata fillimisht morën një mostër të vogël prej 322 punimeve të diplomave, shumica prej të cilave ishin diploma të nivelit bachelor, gjithashtu edhe të nivelit Master dhe PHD. Pasi kontrolluan këto punime të diplomave ata erdhën në përfundim se prej 322 punimeve diku rreth 70% e tyre nuk do të duhej të aprovohen si punime origjinale pasi që plagjiatura ishte më se e pranishme në ato punime.

Sipas Besartit, ky ishte një numër mjaft alarmant, madje as ata nuk kishin besuar që do të kishte një përqindje kaq të lartë prej 70%.

“Plagjiatura është kryesisht e përhapur në aspekte akademike sidomos në avancimin e profesorëve. Arsyeja është se janë shumë rregulla dhe burokraci në Kosovë për ta marrë titullin si profesor i asocuar apo i rregullt dhe secili prej tyre ka kushte që të bëjë publikime shkencore, të ketë doktoraturë etj. Po ashtu. kur profesorët mundohen të avancohen shumë shpejt duke publikuar publikime shkencore nëpër revista të ndryshme, ata huzaojnë punime prej vendeve të ndryshme”.

Ndër tjera, ai përmendi edhe se plagjiatura është e pranishme edhe nëpër kompani që tentojnë të kopjojnë ndonjë plan biznesor nga dikush tjetër, e pastaj hasin në probleme kur vjen koha e zbatimit të atij plani pasi nuk është plani i tyre origjinal.

“Njerëzit shpesh nuk e konsiderojnë plagjiaturën edhe aq të dëmshme, mirëpo plagjiatura dëmton shumë zhvillimin e shoqërisë. Nëse nuk ka gjëra të reja që shkruajnë njerëzit kjo nënkupton se nuk ka kontribut për shoqërinë që të njihen me gjëra të reja dhe me teknologji të re” shtoi Besarti.

Për fund, Besarti kishte një këshillë për të rinjtë që synojnë ta themelojnë kompanitë e tyre në të ardhmen.

“Do t’ju thoja të kthehen dhe të analizojnë një koncept bazë të njerëzimit: Risk-Reward-Ratio. Secili i ri duhet të jetë në gjendje ta kuptojë këtë. Personalisht mendoj që këshilla më e saktë në bazë të përvojës sime për çdo të ri që ka ndërmend të filloj një biznes është se duhet të jenë të gatshëm për sakrificë dhe mos ta nënvlerësojnë se çka është sakrifica. Biznesi është gjëja më e vështirë që ndoshta do ta bëjmë në jetë që kërkon përkushtim dhe vendosmëri që të dalloheni nga të tjerët. Sipas statistikave, 1 në 5 startups mund ta kalojë 5-vjeçarin e operimit, që do të thotë se “you are working against the odds” dhe varet nga ju se çka do të bëni për t’i tejkaluar këto pengesa” përfundoi Besarti.

Lexo edhe

Video

error: