Sot mbushen një vit që kur Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Dorëzimin e aplikimit në Pragë të Çekisë, e cila udhëhiqte Presidencën e radhës së BE-së, e bëri kryeministri Albin Kurti më 15 dhjetor 2022, ndërsa ai ishte nënshkruar një ditë më parë nga presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Kurti.
“Ajo flet për aspiratat tona për t’iu bashkuar BE-së me të cilën ndajmë vlera dhe ideale të përbashkëta si një proces historik nga një projekt politik paqeje dhe prosperiteti”, tha ndër të tjerash Kurti.
Neni 49 i Traktatit të BE-së thotë se çdo vend evropian, i cili respekton vlerat evropiane dhe angazhohet për promovimin e tyre, mund të aplikojë për anëtarësim në BE.
Pas sigurimit të statusit të vendit kandidat, procedura parasheh hapjen e negociatave që pasohet nga nënshkrimi i traktatit për pranim midis BE-së dhe vendit kandidat. Më pas nevojitet të bëhet ratifikimi i tij nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.
Nga 27 shtetet anëtare të BE-së, pesë prej tyre ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria gjatë vitit 2022 nisën procesin e bisedimeve për anëtarësim në BE, ndërsa Bosnjë e Hercegovina e mori statusin e vendit kandidat.