Ka filluar të funksionojë vendkalimi i përbashkët kufitar me vetëm një pikë kontrolli, në mes të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, në Qafë Thanë. Programi i ri kufitar “Një ndalesë-një kontroll” do të lehtësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave, me procedura shumë të thjeshtuara, kanë deklaruar përfaqësues nga dy shtetet.
Ceremonia është zhvilluar nga pika “Qafë Thanë”, nga ku kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë se synojnë lehtësira më të mëdha për qytetarët që kalojnë nga njëri shtet në tjetrin.
“Qëllimi final është unifikimi i doganave, që natyrisht do të vijë më integrimin e plotë të Republikës së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, por nuk kemi pse presim BE-në për ta avancuar, ka pasur skeptik dhe përqeshës kur ne filluam këtë proces me të ashtuquajturin ‘minishengen’ pastaj me Ballkanin e Hapur dhe në ndërkohë rezultatet flasin çdo ditë e më mirë për arsyen e thjeshtë të një procesi si ky, ta bëjmë hapësirën mes nesh një hapësirë ku ndërveprohet dhe bashkëjetohet si në BE, pa pritur që të integrohemi tërësisht në BE”, ka thënë ai.
Ndërsa kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka thënë se në Ballkan nuk duhen kufijtë.
E zëvendëskryeministri shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Artan Grubi, ka thënë se nuk duhet ndaluar këtu por që të gjithë kufijtë duhet të kenë “one stop shop” si parahap deri të largimi i tërësishëm i kufijve.
“Nuk duhet të ndalemi këtu, të gjithë kufijtë tanë duhet të kenë ‘One-stop-shop’, si parahap deri te largimi i kufijve përgjithmonë midis nesh”, ka thënë Grubi.
Lajmi i plotë është në sistemin me parapagim.