Një gjykatë serbe ka caktuar masën një muaj paraburgim të premten ndaj një kosovari të ndaluar në Serbi ditë më parë, thanë familjarët e tij. Më 17 prill, autoritetet serbe ndaluan Sadik Durakun nga komuna e Gjakovës nën dyshime për krime lufte. Të premten, vëllai i tij, Avdyl Duraku, tha për Radion Evropa e Lirë se gjykata serbe ka marrë vendim ta fusë në paraburgim për 30 ditë. Ai tha se gjendja shëndetësore e Sadik Durakut është e "rëndë", pasi ai i ka dy stenta të vendosura në zemër. Më herët gjatë ditës, Avdyl Duraku tha për Radion Evropa e Lirë se Sadiku, teksa po udhëtonte nga Britania e Madhe për në Kosovë, më 16 prill rreth orës 22:00 ishte ndalur në pikën kufitare në Horgosh, që lidh Serbinë me Hungarinë. “Sipas avokatit, ai është arrestuar nën akuza se ka kryer krime lufte kundër popullatës serbe”, tha Duraku.
Në bazë të vendimit të Drejtorisë së Policisë në Kikindë për ndalimin më 17 prill, Sadik Durakut i ishte caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”, dhe se ekziston dyshimi që “së bashku me persona të panjohur gjatë vitit 1999, në zonën e komunës së Gjakovës, Prizrenit dhe Pejës, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka rrahur, ngacmuar fizikisht dhe mendërisht dhe ka grabitur popullatën civile”. Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar Ambasadën britanike në Beograd për këtë rast, por ende nuk ka marrë përgjigje. Sipas vëllait të Sadikut, këto akuza nuk qëndrojnë sepse Sadik Duraku para luftës të vitit 1999, ka jetuar me familjen në Angli. Në vendimin e Drejtorisë policore në Kikindë, Sadik Duraku është shtetas i Britanisë dhe jeton atje. Më herët, familjarët e Sadik Durakut thanë se nuk kanë informacion se në cilën qendër paraburgimi po mbahet ai. “Ajo që dimë është se ai është në Serbi, sot do të dalë para gjykatës”, tha Avdyl Duraku.