Një muaj paraburgim ndaj dy personave për vjedhje

Një muaj paraburgim ndaj dy personave për vjedhje

Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve A.H dhe D.T, për shkak të dyshimit të bazuar për vjedhje.

“Më datë 05.05.2021, rreth orës 19:45 minuta në Pejë,  me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme për vete, të pandehurit duke vepruar si bashkë kryes dhe nën kërcënimin e armës, shkojnë në filialin e “IPKO”-së, ku kishte qenë duke punuar i dëmtuari V.K, në atë mënyrë që gjersa i dëmtuari kishte qenë duke i numëruar paratë e pazarit, të pandehurit futen në brendi të filialit të veshur me rroba me ngjyrë të zezë dhe nën kërcënimin e pushkës nga i dëmtuari grabit paratë, e më pas largohen nga vendi i ngjarjes ku të njëjtit më pas arrestohen nga policia”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Pejës. 

“Me këto veprime të pandehurit A.H dhe D.T si bashkë kryes kishin për të kryer veprën penale grabitje nga neni 317 par. 3 lidhur me par.1 dhe 31 të KPRK-së dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të KPRK-së


Të pandehurve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të njëjtit e kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen dhe duke e pas parasysh se të njëjtit fillimisht janë arratisur dhe janë arrestuar pas një pune operative në bashkëpunim me policinë, ashtu që me gjetjen e mundshme të tyre në liri, mund të arratisen dhe të pengojnë rrjedhën normale të procedurës. Gjithashtu, në këtë fazë të procedurës do të analizohen video incizimet si dhe do të dëgjohet i dëmtuari dhe vetë të pandehurit andaj, po qe se të pandehurit gjenden në liri do të mund të ndikonin në të dëmtuarit dhe të bashkërendojnë mbrojtjen me njëri – tjetrin e në këtë mënyrë do të vështirësonin procedurën e hetimeve. Për më tepër, duke pas parasysh peshën e veprës penale, motivin, rrethanat dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale në bashkë kryerje dhe nën kërcënimin e armës, tregojnë rrezikun se me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri, mund të përsërisin veprat e njëjta penale apo të kryejnë vepra të ngjashme. Nga të lartcekurat, gjykata ka gjetur se paraburgimi është masa adekuate për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë”, thuhet në njoftim.

Gjykata sipas detyrës zyrtare vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurve në procedurë mirëpo, vlerësoi se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Video