Një grua që ka lënë gjurmë në historinë e Kosovës, duke u angazhuar parreshtur për paqe e barazi. Fuqzimi i gruas është prioritet i saj, dhe kauzën për gra të forta ekonomikisht synon ta çojë përpara si deputete e Kuvendit të Kosovës. Kjo është Valdete Idrizi - një aktiviste e shquar e cila po garon me listën e Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Emri i saj njihet që prej viteve 1990, me angazhimin e saj në kauza të rëndësishme. Ajo ishte pjesë aktive e lëvizjes studentore kundër regjimit të atëhershëm të Millosheviqit.
Në kuadër të programit të PDK-së, “Kosova mundet ma mirë”, Idrizi thotë se, ndër të tjera, është paraparë platforma për gratë që parasheh lehtësira në biznese, në studime por edhe për nënat lehona.
"Janë disa kauza jetësore që tërë jetën jam marrë me to, janë gratë – gjysma e popullatës. Vajzat dhe gratë janë faktikisht në gjithë pesë prioritetet e programit ‘Kosova mundet ma mirë’, janë gratë e përfshira indirekt por është edhe program i veçantë për fuqizimin e grave dhe vajzave me të cilin do të merremi sepse kam qenë edhe bashkë në hartimin e programit. Nuk mund të flasim asnjëherë për fuqizim ekonomik të grave pa i fuqizuar ekonomikisht ato. Edhe në shëndetësi, edhe në arsim, edhe në ekonomi. Por duke qenë se edhe jam prej Mitrovicës edhe gjithë jetën kam jetuar në Mitrovicë natyrisht që do të jem edhe zë i qytetarëve të Mitrovicës dhe kërkesave të tjera sidomos mirëqenia e qytetarëve”, deklaron ajo.“Janë programet, lehtësirat tatimore, reformat fiskale, që do të bëhen komplet në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik por tek bizneset që edhe udhëhiqen prej grave do të ketë mundësi të përkrahjes përmes subvencioneve edhe granteve. Deri në 10 mijë euro që kanë qarkullim nuk do të tatohen, do të jetë shumë më lehtë që të fillojnë biznesin, e nëse duan ta zgjerojnë pas një kohe, 30 për qind do të marrin prej shtetit subvencion që të mund të rritet. Tjetra, do të jetë rritja e pagave, ne po flasim për 84 mijë qytetarë, gra dhe burra, që marrin pagën përmes fondeve të shtetit, do të iu rritet paga për 50 për qind. Kjo mënyrë direkte ndihmon natyrisht edhe gruan sepse pastaj është fondi i papunësisë që nëse një grua apo vajzë apo burrë dhe djalë, nëse e humb punën në sektor privat, atëherë do të jetë një fond i qëndrueshëm i shtetit, ku 80 për qind të pagës do ta marrë për gjashtë muaj”, shton Idrizi.
Në platformën për gratë, ndër tjera, është paraparë subvencionimi prej 100 euro për secilin fëmijë që dërgohet në çerdhe private.
Me numrin 36, ajo kërkon besimin e qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurtit, për çka premton se do të jetë “dorë e zgjatur” dhe bashkëpunëtore e madhe e tyre.
“E dinë [qytetarët] që do të jem një dorë e zgjatur dhe do të bashkëpunojmë dhe ashtu mundemi t’i sjellim të mira këtij shtetit tonë. Fola ngushtë për Mitrovicën sepse kam punuar në Mitrovicë, por unë duke qenë edhe si drejtoreshë e platformës CiviKos për shumë vite kam njohur edhe telashet edhe potencialet në komunat e tjera, kështu që do të jem një bashkëpunuese e madhe”, përfundon ajo.
Idrizi u angazhua edhe për ndërtimin e paqes dhe bashkëjetesës.
Idrizi ishte edhe bashkëthemeluese e Shkollës së Rokut në Mitrovicë - një iniciativë për afrimin e të rinjve përmes muzikës, dhe themeluese e një qendre për gra, ku janë fuqizuar dhjetëra gra dhe vajza.
Për më shumë se pesë vjet, ajo drejtoi edhe Platformën CiviKos - rrjetin më të madh të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë, i cili përfshin mbi 200 organizata.
Idrizi është nderuar edhe me Soroptimist International Peace Prize në Amsterdam dhe WIFTS Peace Aëard në Londër - një çmim që ia dedikoi viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Artikull i sponsorizuar