Një e treta e popullsisë së botës nuk është e lidhur me internet

Një e treta e popullsisë së botës nuk është e lidhur me internet

Në vitin 2022, një e treta e popullsisë së botës, 2.7 miliardë njerëz, ende nuk kanë qasje në internet dhe edhe nëse kostoja e shërbimeve të internetit është ulur globalisht, më të varfrit në botë mbeten të privuar nga mundësitë që ofron kjo teknologji.

Kështu thuhet në një raport të publikuar nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU), agjencia e Kombeve të Bashkuara për teknologjitë e informacionit dhe komunikimit. “Qasja në internet po rritet, por jo aq shpejt dhe në mënyrë uniforme në të gjithë botën sa duhet të jetë,” tha Doreen Bogdan-Martin, drejtore e ITU.

“Ka ende shumë njerëz që nuk kanë qasje në teknologjinë digjitale. Sfida me të cilën përballemi është të mobilizojmë burimet që do t’i lejonin të gjithë të përfitojnë efektivisht nga lidhja”, shtoi ajo.


Sipas raportit, interneti është bërë më i përballueshëm në të gjitha rajonet e botës dhe për të gjitha grupet e popullsisë, pavarësisht nga niveli i të ardhurave.

Megjithatë, kostoja e tij mbetet një pengesë kryesore, veçanërisht në ekonomitë me të ardhura të ulëta.

Situata aktuale ekonomike globale, e karakterizuar nga inflacioni i lartë, rritja e normave të interesit dhe pasiguritë e larta, mund ta bëjë edhe më të vështirë arritjen e qëllimit për zgjerimin e shtrirjes së internetit në zonat me të ardhura të ulëta.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, ka ende një pabarazi serioze gjinore në qasjen në internet. Edhe pse gratë përbëjnë gati gjysmën e popullsisë së botës, 259 milionë gra më pak kanë qasje në internet sesa burrat. Vetëm 63% e femrave përdorin internetin në vitin 2022, krahasuar me 69% të meshkujve, sipas raportit. Hendeku gjinor është edhe më shqetësues në vendet me të ardhura të ulëta, ku 21% e grave janë të lidhura./ANSA

Lexo edhe

Video