Nisma Socialdemokrate kërkon nga Gjykata Speciale të marrë në pyetje Ivica Daçiqin

Nisma Socialdemokrate po kërkon nga Prokuroria e Kosovës të sqarojë nëse ka pasur bashkëpunim me Dhomat e Specializuara në funksion të ndriçimit të krimeve që Serbia ka kryer gjatë luftës në Kosovë. Madje, kjo parti po kërkon nga Gjykata Speciale të marrë në përgjegjësi Ivica Daçiq për përfshirjen e tij në fshehjen e krimit të gjenocidit.

Anëtari i kryesisë së Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, në një konferencë për media, ka kërkuar nga Prokuroria e Kosovës që të jap detaje nëse ka dërguar në Speciale, aktakuza për krimet që ka kryer Serbia në Kosovë. Kjo duke u bazuar në deklaratën e kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, e cila kishte deklaruar se pa marrë parasysh përkatësinë etnike, çdonjëri që ka kryer krime ndaj qytetarëve të Kosovës do të llogaritet përgjegjës.

“Nisma Socialdemokrate kërkon nga Prokuroria e Kosovës që të sqarojë publikisht se cila është shkalla e bashkëpunimit të Prokurorisë së Kosovës me Dhomat e Specializuara dhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës? Sa dosje lidhur me aktet gjenocidare që ka kryer Serbia gjatë zbatimit të gjenocidit në Kosovë ka dorëzuar Prokuroria e Kosovës në Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Nëse deri më tani nuk është bërë një gjë e tillë, Nisma Socialdemokrate kërkon nga Prokuroria e Kosovës që menjëherë t’i dorëzojë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të gjitha provat që posedon lidhur me krimet e gjenocidit në të gjitha masakrat e shënuara në rezolutën e Kuvendit të Kosovës të datës 16 maj 2019 dhe qindra masakra të tjera si akte gjenocidare anekënd Kosovës gjatë të cilave u vranë 1392 fëmijë, 1797 gra dhe rreth 10 mijë shqiptarë të të gjitha moshave dhe të dy gjinive, si dhe dhunimin e mbi 20 mijë grave shqiptare”, ka deklaruar Sherifi.

Ky reagim ka mohuar të ketë ardhur si shkak i një bisede të mundshme me bashkëpartiakun e tyre, Jakup Krasniqin, i cili aktualisht po përballet me një proces gjyqësor në Hagë.


Ndër tjera, Sherifi tha se si parti po kërkojnë që të merret në pyetje ish-shefi i Sigurimit Sekret të Serbisë, Radomir Markoviq për të ndriçuar të gjitha vrasjet për të cilat ai është në dijeni. Marrja në pyetje e tij, u tha se është jetike për ndriçimin e vrasjeve në Kosovë, sepse pas arrestimit të tij kanë ndodhur vetëm 10 vrasje, 9 prej të cilave janë kryer në pjesën veriore të Kosovës, që ishte jashtë kontrollit të UNMIK-ut.

“Dëshmia e tij është e rëndësishme për faktin se, ish shefi i Sigurimit Sekret të Serbisë, Radomir Markoviq në kërkesën e tij për falje të dënimit që i drejtori kryetarit të Serbisë, kërcënoi se do ta rrëzojë Serbinë në gjunjë nëse  e publikon listën e krimeve që me urdhër të këtij shërbimi janë bërë kundër civilëve shqiptarë dhe serb në Kosovë”, ka shtuar Sherifi.

Veç tjerash, ai tha se kërkojnë që të marrin në përgjegjësi edhe kryetarin e Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq. Për këtë të fundit, Sherifi theksoi se është figura politike më e angazhuara në strategjinë e fshehjes së gjurmëve të gjenocidit që ky shtet kishte kryer kundër shqiptarëve.

“Nisma Socialdemokrate kërkon nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara që të marrë në përgjegjësi ish zëdhënësin e partisë së regjimit të Sllobodan Millosheviqit, Ivica Daçiq, për përfshirjen e tij në fshehjen e krimit të gjenocidit si dhe për pengim të drejtësisë për shkak të kërcënimit publik që u bëri qytetarëve të Serbisë që tregojnë se ku janë të fshehura kufomat e civilëve shqiptarë, të vrarë gjatë zbatimit të gjenocidit në Kosovë. Duke u nisur nga pohimet publike të Milovan Drecunit se ai është personi që i ka orientuar autoritetet e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në drejtimin e punës së tyre dhe për këtë çështje ka marrë edhe falënderim me shkrim nga Zori Schwendiman”, ka theksuar Sherifi.

Nisma Socialdemokrate ka kërkuar nga Ekaterina Trendafilova dhe Michael Doyle të sqarojnë nëse janë të përgatitur aktakuza kundër përfaqësuesve të shtetit serb që kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në kryerjen e gjenocidit në Kosovë.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.