Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

Nisin punimet në zgjerimin e rrugës në hyrje të Ferizajt

Nisin punimet në zgjerimin e rrugës në hyrje të Ferizajt

Mbi 13 milionë euro ka vlerë projekti i zgjerimit të rrugës “Hyrja në Qytetin e Ferizajt”, pranë urës së fshatit Bibaj. Ky projekt i financuar nga BERZh po konsiderohet shumë i rëndësishëm meqë iu ofron qasje më të lehtë qytetarëve me komunat dhe regjionet përreth.  Ndërkohë, ky aks rrugor ka gjatësi 5,6 kilometra dhe lidh Prishtinën me Shkupin.

Në fillimin e këtyre punimeve, morën pjesë kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, bashkë me ministrin në detyrë të Infrastrukturës, Arban Abrashi.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm dhe ofron qasje të mirë për qytetarët me komunat përreth.

“Më vjen shumë mirë që janë kompletuar më në fund të gjitha procedurat e nevojshme për të filluar këtë projekt. Falënderoj BERZh-in, sigurisht kompaninë, e cila ka marrë përsipër financimin, ambasadorin italian që e kemi prezent me plot ngjarje[…]më vjen mirë që është kompletuar një projekt i cili akomodon plotësisht edhe nevojat e qytetarëve me nënkalimet e nevojshme për lëvizje të lirë dhe janë akomoduar edhe nevojat e bizneseve në mënyrë që bizneset mos të mbesin të izoluara për qasje në këtë infrastrukturë. Dhe duke e parë seriozitetin e kompanisë, besoj që të përfundojë në afat rekord”, ka thënë Hoti.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi tha se projekti në fjalë do të ndryshojë edhe pamjen e qytetit të Ferizajt, por po ashtu do të lehtësojë edhe lëvizjen e qytetarëve. Ndërkohë ai u zotua se kanë filluar hartimin edhe të disa projekteve të tjera.

“Kemi filluar edhe për këtë vit hartimin e projekteve të tjera, të cilat i japin formë dhe e bëjnë Kosovën më të ndërlidhur edhe brenda por edhe me regjione. E kemi diskutuar edhe projektin e Lidhjes së Ferizajt me Brezovicën, kemi diskutuar edhe për lidhjen nga Peja me Çakorr me ato bjeshkët e bukura. Kurse ajo çfarë është më e rëndësishmja e kemi bërë Kosovën më afër me Evropën. Dy projektet të cilat tani po i hapim është autostrada Prishtinë-Merdare për të cilën kemi aplikuar për financim dhe e ndihmon qasjen edhe bizneseve të Ferizajt por edhe gjitha bizneseve të tjera. Dhe një projekt të cilin e nisim që është mbetur pezull që shumë vite, e nisim këtë vit autostradën Pejë-Prishtinë-Pejë”, theksoi Abrashi.


Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu theksoi se pas një odiseade po fillojnë punimet e një projekti, që sipas tij, është më modernja dhe ka të bëjë me komunitetet e bizneseve.

“Tashmë Ferizaj që është shndërruar një model transformimi urban dhe substancial të gjithë infrastrukturës së saj po i shtohet edhe ky projekt i një rëndësie të veçantë. Por, vargut të asaj që paraqet Ferizaj, që sot në Republikën e Kosovës paraqet kryeqendrën e zhvillimit ekonomik, sigurisht se e shton ky projekt për faktin se sapo thash që projekte në mënyrë te drejtpërdrejta dhe biznesit që është pjesë e këtij aksi rrugor me gjatësi 5, 6 kilometra”, shtoi ai.

Me përfundimin e këtij projekti, Aliu siguroi se nuk do të ketë vështirësi të qarkullimit dhe bizneseve, meqë sipas tij ky aks rrugor po bashkon Prishtinën dhe Shkupin.

“Ndodhte që gjatë çdo periudhe kur kishte më shumë për shkak të  reshura atmosferike, pikërisht ky aks rrugor shndërrohej në një lloj lumi. Me fillimin e këtij projekti dhe sigurisht me përfundimin e këtij projekti nuk do të ndodhë më ky lum. Dhe duke mos ndodhur ky lum, sigurisht se do të shtojë rëndësinë edhe për komunitetin e bizneseve, nuk do të kanë vështirësitë e qarkullimit qytetarët”, tha mes tjerash ai.

Shefi i BERZh-it për Kosovë, Neil Taylor shtoi projekte të tilla kanë filluar në citin 2020 dhe do të vazhdojnë edhe më tutje.

“Është një rrugë prej 5.6 kilometrash, e cila, siç e përmendi edhe kryetari i komunës, është me të vërtetë e rëndësishme për bizneset në Ferizaj dhe gjithashtu edhe për njerëzit. Kjo është vetëm një pjesë e disa prej punëve që BERZH-i ka bërë në Kosovë. Që nga viti 2012,kemi investuar mbi gjysmë miliardë euro në ekonomi, në infrastrukturë, në sektorin privat dhe gjithashtu në tranzicionin e energjisë së gjelbër. Unë jam me të vërtet i kënaqur që kjo është kontrata e katërt dhe e fundit e punës që do të fillojë. Është një shembull i shkëlqyeshëm në praktikë i grupit të Evropës. Ne kemi një kontraktues evropian, një kompani italiane që do të sigurojë që projekti të bëhet në përputhje me standardet italiane dhe evropiane, dhe unë iu uroj të gjitha të mirat gjithashtu edhe kontraktorëve në zbatimin e këtyre punimeve qytet”, tha ai.

Lexo edhe

Video

error: