Në një ceremoni solemne, me një atmosferë mbresëlënëse dhe të shkëlqyeshme, në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, u bë hapja e edicionit të dymbëdhjetë të festivalit më të madh të dijes dhe shkencës në Evropë, “Global UBT Fest 2023”.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin: rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, si dhe zëvendës-rektori i “Sapienza University”, Prof. Luciano Saso.
“Është viti i dymbëdhjetë që organizojmë një ngjarje të tillë që ngërthen në vete shumë aktivitete jashtë-kurrikulare, të cilat ofrojnë perspektiva të ndryshme nga më shumë se njëmijë ekspertë dhe profesionistë vendorë dhe ndërkombëtarë, për më shumë se 30 programe. Këto shkolla organizohen në muajin korrik, në të cilin vijnë edhe shumë njerëz nga diaspora, të cilët kanë mundësi të iu bashkëngjiten aktiviteteve të ndryshme”, tha Hajrizi.
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund e vlerësoi rolin e UBT-së në promovimin e arsimit të lartë dhe theksoi rëndësinë e përkushtimit ndaj shkëmbimit kulturor dhe inovacionit.
Zëvendësrektori i “Sapienza University”, Luciano Saso u shpreh i mahnitur nga atmosfera dhe entuziazmi që gjeti në UBT. Ai vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit mes universiteteve dhe vlerësoi platformën që ofron Global UBT Fest për të promovuar shkëmbimin e ideve dhe zhvillimin e dijes.
“Jam i nderuar të jem pjesë në këtë hapje të Global UBT Fest 2023. Një ngjarje që është një mundësi për të rinjtë e të gjitha vendeve që të bëhen pjesë e aktiviteteve të ndryshme për të përforcuar njohuritë e tyre dhe të krijojnë eksperienca të reja”, u shpreh Saso.
30 akademi verore për fusha të ndryshme do të krijojnë një ngjarje shumëdimensionale dhe një platformë unike për një muaj, ku të rinjtë nga të gjitha anët e globit mund të bëhen pjesë e një ambienti të frytshëm mësimor dhe kreativ.