Nis “zbutja” e masave – Austria e Spanja hapin dyqane e biznese

Nis “zbutja” e masave – Austria e Spanja hapin dyqane e biznese

Ashtu siç ishte paralajmëruar, Austria e nisi lehtësimin e masave të izolimit të marra për mbrojtje nga koronavirusi. Mijëra dyqane nën 400 metra katrorë u rihapën, e bashkë me to dhe dyqanet e pajisjeve të rënda dhe qendrat e kopshtarisë.

Megjithatë, distancimi fizik mbetet në fuqi, ndërsa njerëzit janë udhëzuar të qëndrojnë në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur. Austria ishte ndër vendet e para evropiane që e vendosi bllokimin rreth një muaj më parë. Mbajtja e maskave në supermarket dhe farmaci atje është e detyrueshme. Në vend raportohet deri tani për 14,000 të infektuar dhe 368 të vdekur.

Një javë më parë, ekzekutivi austriak njoftoi se ishte arritur të rrafshohet kurba e infektimeve të reja. Spanja gjithashtu ka lejuar hapjen e disa bizneseve e Danimarka ka filluar të rihapë shkollat për fëmijët më të vegjël. Polonia njoftoi se do të nisë gradualisht zbutjen e masave duke nisur ndoshta nga dyqanet.


Nga sot, edhe Italia, vendi më i goditur prej pandemisë në Evropë me mbi 20.000 viktima, do të lejojë disa firma të rinisin punën.

Presidenti francez Emmanuel Macron megjithatë vendosi ta mbajë bllokimin edhe për katër javë të tjera, deri në 11 maj.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka paralajmëruar se lehtësimi shumë shpejt i masave të izolimit mund të çojë “në një rishpërthim vdekjeprurës të sëmundjes”./tch

 

Lexo edhe

Video