Nis viti i ri shkollor, nxënësit e mësimdhënësit mirëpresin fillimin e mësimit me prezencë fizike

Ka nisur sot viti i ri shkollor në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar, ku nxënësit janë rikthyer me prani fizike në objektet shkollore. MASHTI për këtë vit shkollor ka paraparë zhvillimin e mësimit në bazë të katër skenarëve, varësisht nga situata epidemiologjike nëpër shkolla.

Nxënësit e mësimdhënësit shprehen të lumtur që sot janë rikthyer në bankat shkollore dhe që procesi mësimor po zhvillohet me prani fizike e jo online.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, përmes rrjeteve sociale ka deklaruar se angazhimi për një vit të mbarë e të suksesshëm është i vazhdueshëm.

Ajo ka ftuar mësimdhënësit e nxënësit që të kenë kujdes të shtuar dhe të respektojnë të gjitha masat anti-COVID.

“Në këtë fillim viti shkollor kur akoma po përballemi me pandeminë, angazhimi ynë për të bërë më të mirën, për një vit sa më të mbarë e të suksesshëm, është i vazhdueshëm. Sfidat e brengat do t’i tejkalojmë bashkë, me vullnetin, kuriozitetin e energjinë për mësimnxënie e mësimdhënie. Nuk do të jetë e lehtë as këtë vit, puna në shkolla. Krahas masave që kemi ndërmarrë, krahas kujdesit për sigurinë e shëndetin, nuk duhet lënë anash as betejat për rezultate në të nxënë, në arsimim e edukim”, thuhet në reagimin e saj në Facebook.

Mësimi sot ka nisur edhe në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Prishtinë, ku nxënësit janë rikthyer në bankat shkollore dhe mësimi do të mbahet sipas skenarit për rikthim të plotë në shkollë.

Drejtoresha e shkollës fillore “Naim Frashëri”, Shqipe Vllasaliu Mehmedi, bëri të ditur se kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.

Ajo tha se janë pajisur edhe me tekstet shkollore nga ana e Ministrisë së Arsimit, përfshirë edhe me tekstet alternative që janë përzgjedhur nga mësimdhënësit.

“Sot është dita e parë e mësimit, kemi bërë përgatitjet e nevojshme. Meqenëse patëm edhe hapësirë kohore edhe pse për shkak të udhëzimeve të cilat ka edhe disa ndryshime, do të thotë shkolla në bazë të mundësive që ofron të infrastrukturës ka bërë edhe disa përgatitje të tjera bazuar në mundësitë e brendshme. Task-forca ka marrë vendimet, është takuar dhe janë njoftuar edhe këshilli i mësimdhënësve për ndryshimet çka janë bërë në shkollë…. Shkolla ka pranuar librat shkollorë dhe mendojmë që jemi në gjendje për ta filluar mirë edhe mbarë këtë vit shkollor”, tha ajo.

Drejtoresha Vllasaliu-Mehmedi deklaroi se të gjithë mësimdhënësit e shkollës “Naim Frashëri” janë vaksinuar, bazuar në vendimin e qeverisë së Kosovës.


“Për fat të mirë ne gjatë gjithë kohës kemi raportuar në DKA për vaksinimin e mësimdhënësve, të gjithë mësimdhënësit tanë janë të vaksinuar me përjashtim të dy mësimdhënësve të cilët e kanë kaluar virusin, kanë qenë të infektuar para fillimit dhe ata i kanë sjellë dokumentet që kanë antitrupa. Të gjithë të tjerët janë të vaksinuar me dy vaksina. Sot në bazë të udhëzimit, besoj edhe për juve ka ndodhur njësoj ju është kërkuar në hyrje që ta keni një dëshmi sipas të cilës ju dëshmoni që i keni të përfunduara vaksinat dhe jemi duke i zbatuar të gjitha rekomandimet”, tha Mehmedi.

Rikthimin në bankat shkollore e ka mirëpritur edhe mësimdhënësi i lëndës së Edukatës Fizike në këtë shkollë, Astrit Kasapolli, i cili tha se është shumë më produktive që mësimi të mbahet me prezencë fizike.

“Më të vërtetë është një ndjenjë e mirë se është tepruar, kemi pasur humbje të mëdha edhe si shoqëri, është një ndjenjë shumë e mirë dhe si mësimdhënës, mirë që kemi filluar në objektet shkollore. Besoj që edhe për fëmijët është një ndjenjë e mirë… Duke e ditur me platformë, kemi pasur kam vështirësi, sidomos ne në lëndët e shkathtësive edukatë fizike është problem, mirëpo edhe për lëndët e tjera besoj që është më mirë me prezencë fizike në shkollë”, tha ai.

Të pajisur me maska e në distancë prej njëri-tjetrit, nxënësit e kësaj shkolle shprehen të lumtur që mësimi ka nisur me prezencë fizike dhe jo online.

Nxënësi i klasës së gjashtë në shkollën “Naim Frashëri”, Ylli Vokshi, tha se pushimi i është dukur shumë i gjatë.

“Jam gëzuar që jemi kthyer përsëri në bankat shkollore, sepse klasën e pestë e kemi pas gati të gjithën online edhe klasën e katërt e kemi pasur gati online, tash që kemi nisur brenda shkollës unë jam i gëzuar… Më është dukur pushimi tepër i gjatë”, tha ai.

Edhe nxënësja tjetër Yllka Pushka, tha se është shumë më mirë që mësimi ka nisur në objektet shkollore.

“Mendoj që unë dhe shokët e shoqet e mia ndjehemi shumë më lirshëm që jemi kthyer në klasa dhe i kemi mësimdhënësit tanë përpara. Besoj që edhe detyrat i kuptojmë më mirë dhe është më lehtë”, u shpreh ajo.

Ftesë për respektim të masave anti-COVID nga nxënësit e mësimdhënësit ka bërë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik. Përmes një shkrimi në rrjetet sociale thuhet se IKSHPK do të hulumtojë dhe gjurmojë menjëherë rastet e dyshuara për COVID-19 tek nxënësit e mësimdhënësit.

“Çdo shkollë do ta përcjellë shëndetin e çdo nxënësi dhe mësimdhënësi përmes Task Forcës së saj dhe Task Forcës komunale duke bërë të mundur identifikimin e rasteve në kohë reale. Rastet e dyshimta të sëmundjes te nxënësit dhe mësimdhënësit do të hulumtohen dhe gjurmohen menjëherë. Secili duhet të përmbushim obligimet tona: si institucione, si mësimdhënës, si nxënës dhe si prindër”, thuhet në shkrimin e IKSHPK në Facebook.

Viti i ri shkollor 2021/2022 ishte paraparë të nis me 1 shtator, por që për shkak të rasteve me COVID-19 fillimisht ishte shtyrë me 13 shtator e pastaj për 27 shtator.

Lexo edhe

Video