Sot në Shkup nis punimet samiti i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), me pjesëmarrjen e diplomatëve të 57 vendeve anëtare të organizatës, përfshirë shefin e diplomacisë ruse, Sergei Lavrov.
Lavrov arriti në kryeqytetin maqedonas, Shkup, në orët e para të 30 nëntorit.
Kjo ka shkaktuar debate e reagime të shumta, nëse Rusia me pjesëmarrjen në këtë samit, po përfiton dhe forcon pozitën e saj në skenën ndërkombëtare, përkundër pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.
Ukraina dhe shtetet baltike në shenjë pakënaqësie nuk kanë dërguar ministrat e Punëve të Jashtme në Këshillin Ministror.
Kryediplomati amerikan pas darkës joformale është larguar nga Shkupi duke shmangur kështu praninë e tij në një sallë me homologun e tij rus, Lavrov.
Pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe kryesuesin e OSBE-së, Bujar Osmani, diplomati amerikan ka përgëzuar Maqedoninë e Veriut për kryesimin me sukses të OSBE-në, ndërsa mirëpriti edhe përzgjedhjen Maltës si kryesuesen e radhës me këtë organizatës gjatë vitit 2024.
Ministri i Jashtëm Osmani e falënderoi Blinkenin për mbështetjen e jashtëzakonshme, siç tha, gjatë kryesimit të OSBE-së, ndërsa e njoftoi për “zgjidhjen e sfidave kritike ekzistenciale për kryesimin e OSBE-së në vitin 2024”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, nuk bëri komente tjera rreth takimit të Këshillit të Ministrave të OSBE-së dhe pjesëmarrjes së ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, në të.
Borrell tha se “ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, duhet të dëgjojë nga pjesëmarrësit në Këshillin Ministror të OSBE-së në Shkup se pse Rusia është e izoluar dhe e sanksionuar dhe duhet t’ia përcjellë mesazhet Kremlinit”.
Shefi i diplomacisë evropiane tha se i kupton vendet si Ukraina, Estonia, Letonia dhe Lituania, të cilat vendosën ta bojkotojnë samitin për shkak të pjesëmarrjes së Lavrovit, por edhe Shkupin për vendimin e tij për t’ia mundësuar pjesëmarrjen zyrtarit rus.
Zyrtari i lartë evropian tha se e mirëpret marrëveshjen që Malta të jetë kryesuese e OSBE-së për vitin 2024 dhe shtoi se beson se vendimi do të konfirmohet në samitin e Shkupit.
Njëjtë, sikur sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, pas takimit joformal është larguar nga Shkupi për të shmangur një takim me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov.
Në ditën e parë të Këshillit, të enjten, është paraparë nënshkrimi i deklaratës së përbashkët për luftën kundër korrupsionit në Evropën Juglindore përmes kthimit të pronave dhe përdorimit të digjitalizimit. Ndërsa, tema e dytë ka të bëjë me ndikimin e ndryshimeve klimatike në sigurinë e njerëzve në shtetet që janë pjesë e OSBE-së.
Takimi dyditor i Këshillit Ministror të OSBE-së është ngjarja më e madhe diplomatike që është zhvilluar ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut.