Nis numërimi i fletëvotimeve me postë për zgjedhjet në Dragash

Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve sot ka filluar numërimi i fletëvotimeve përmes postës që i takojnë përsëritjes së raundit të dytë të zgjedhjeve për Komunën e Dragashit, e që ky numërim pritet të përfundojë sonte.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se votimi përmes postës ka filluar më 29 nëntor dhe ka përfunduar më 13 dhjetor.

“Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve do të fillojë numërimi i fletëvotimeve, të cilat i takojnë përsëritjes së raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të Komunës së Dragashit, pra raundit të dytë pra ekskluzivisht votimet jashtë Kosovës. Ju njoftoj se gjatë periudhës së votimit përmes postës e cila ka filluar më datën 29 nëntor dhe është përmbyllur më datën 13 dhjetor”, tha Elezi.


Ai ka bërë të ditur se KQZ-ja ka pranuar 380 pako të supozuara me fletëvotime, me 696 zarfe të individualizuara, që pas numërimit janë pranuar 647 pako me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 49 zarfe pasi nuk kanë plotësuar kriteret ligjore.

“KQZ ka pranuar 381 pako të supozuara me fletëvotime dhe gjatë procesit të vlerësimit brenda këtyre pakove rezulton se kanë qenë 696 zarfe të individualizuara me fletëvotime. Pas procesit të numërimit dhe verifikimit të tyre 647 pako të individualizuara me fletëvotime janë aprovuar dhe ato do të numërohen këtu në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve. Ndërsa janë refuzuar 49 zarfe të individualizuara me fletëvotime për shkak se nuk kanë plotësuar kriteret ligjore. Menjëherë pas përfundimit të këtij numërimi do të mund të shihni rezultatin, i cili do të paraqitet në tabelë që është e vendosur këtu në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve”, shton Elezi.

Votat e diasporës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 14 nëntorit ndryshuan rezultatin e zgjedhjeve në Dragash. Pas numërimit të tyre i pari në garë doli Bexhet Xheladini nga LDK-ja, ndërsa me vota të rregullta kishte fituar kandidati i PDK-së, Shaban Shabani.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.