Në ditën e katërt të Vitit të Ri, nxënësit iu kanë kthyer bankave shkollore pas festave të fundvitit dhe procesi mësimor po zhvillohet normalisht në Prishtinë.
Ministria e Arsimit, me vendim ka ndryshuar kalendarin e vitit shkollor 2022-2023, për shkak të 22 ditëve të pambajtura të mësimit gjatë muajit shtator 2022 si pasojë e grevës së mësimdhënësve.
Sipas kalendarit, gjysmëvjetori i parë për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të përfundojë më datë 27.01.2023. Ndërkaq, pushimi dimëror për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të fillojë më datë 30.01.2023 dhe mbarojë më 03.02.2023.
“Ndoshta kishte qenë e arsyeshme me qenë pushimi më I gjatë, me nisë mësimi prej ditës së martë të javës së ardhshme, meqë të hënën është festë zyrtare. Por, është institucioni i arsimit që ka vendosur, dhe ne duhet me i përfillur vendimet dhe me vazhduar mësimin”, theksoi ai.
Edhe nxënësja Bulëza Bërnica tha se ka pasur dëshirë që për Vitin e Ri të kishte më shumë ditë pushimi.
Më shumë ditë pushimi ka kërkuar edhe Flandër Turjaka nxënëse në shkollën “Naim Frashëri”, në Prishtinë.
“Mendoj që për festat e fundvitit ishte dashur që pushimi me qenë më i gjatë për me i shijuar më shumë festat e fundvitit me familjarët tanë”, theksoi ajo.
Fillimi i mësimit menjëherë pas Vitit të Ri, nuk e ka penguar zëvendësdrejtoreshën Qorolli, pasi që sipas saj moti i mirë këto ditë është në favor të nxënësve dhe mësimdhënësve.
“Pas festimit të këtyre ditëve festive mësime tek ne ka filluar normalisht, 99 për qind të nxënësve kanë ardhur sot në shkollë, edhe pse disa prindër kanë insistuar dhe sipas Këshillit të prindërve të Kosovës ka qenë kërkesë me vazhduar pushimi dimëror sikur viteve të tjera, mirëpo fëmijët sot kanë ardhur në shkollë dhe të përgatitur për mësim, me orar të rregullt vazhdohet mësimi sipas vendimit që është marrë nga Ministria e Arsimit për zëvendësimin e ditëve të humbura në grevë... Personalisht mua nuk më ka penguar, edhe pse ndoshta jemi mësuar me vite të tëra, pushimi dimëror ka qenë i planifikuar gjithmonë pas datës 31 dhjetor, dy javët e para të muajit janar. Por, megjithatë, edhe pse është koha e mirë, ta shfrytëzojmë për t’i kryer obligimet tona”, tha Qorolli.
“Po, sot kemi një fillim të mirë të vitit shkollor, nxënësit i janë përgjigjur mësimit. Sot të pranishëm në ciklin 6-9 janë rreth 98.8 për qind të nxënësve. Kështu që çdo gjë po funksionon mirë dhe po shkon mirë… Këtë vit ishte një specifikë tjetër, kështu që është e natyrshëm dhe i mjaftueshëm edhe ky pushim që kemi pasur dhe kemi nis mirë”, theksoi ajo.
Mësimdhënësi Fatos Ferizaj tha se shumica e nxënëseve kanë ardhur në shkollë dhe mësimi është duke u zhvilluar me rregull.
Duket se pushimin sot e ka vazhduar drejtoresha e shkollës “Gjergj Fishta”, e cila nuk kishte dalë në punë.
Mësimi u zhvillua edhe në shkollën “Elena Gjika”, por KosovaPress në vendin e punës nuk i gjeti as drejtuesit e kësaj shkolle, drejtorin dhe zëvendësdrejtorin. /I. Shabani/