Nikaj për reduktimet e rrymës: Manifestim i menaxhimit të keq

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka adresuar kritika të ashpra ndaj Qeverisë Kurti pas fillimit të aplikimit të reduktimeve me energji elektrike, duke thënë se e gjithë kjo vjen si pasojë e mungesës së ideve dhe planeve për zgjidhjen e problemit me krizën energjetike.

Sekretari për marrëdhënie ndërkombëtare i Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj, në një konferencë për media tha se paaftësia e Qeverisë për menaxhim të krizës energjetike ka ndikuar që nga sot qytetarët të përballen me reduktime të energjisë.

Nikaj theksoi se reduktimet 6 orë me rrymë dhe 2 pa rrymë në mes të gushtit janw dështim i plotë i kryeministrit Albin Kurti.

“Në një vend me qeverisje të paaftë, depresive e të papërgjegjshme, siç është qeveria e Albin Kurtit, kjo është asgjë më pak sesa manifestim i keqmenaxhimit,  i cili, për faktin që po ndodh tash kur nuk është dashur as të paramendohej, rrezikon të bëhet normë, atëherë kur edhe mund të presim përkeqësim të situatës me furnizim të energjisë elektrike gjatë dimrit”, theksoi NIkaj.


Sipas Nikajt, terri me të cilin po shërbehen qytetarët e Kosovës sot, është produkt i një dështimi sistematik e kardinal disamujor të menaxhimit të KEK-ut nga ana e Qeverisë.

“Koorporata Energjetike e Kosovës është po e njëjta Korporatë, e cila veçmas në muajt e verës, me kapacitetet e veta prodhuese arrin të mbulojë nevojën e konsumit të energjisë, pa pasur nevojë për reduktime. Megjithatë, ja që me 15 gusht të 2022-tës, në mes të verës, qytetarët e Kosovës janë në terr. Prandaj, përgjegjës për këtë situatë, nuk janë punëtorët e KEK-ut. Përgjegjës për këtë situatë, është një faktor tjetër dhe ajo është Qeveria e Kosovës, e cila me qasjen ndaj menaxhimit të KEK-ut, me qasje pa plan, pa guxim dhe pa ide se si me menaxhu sektorin energjetik, e ka pru punën që ta ringjallë nga harresa kolektive, doktrinën e reduktimit të energjisë elektrike”, tha ai.  

Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të pafalshme që qytetarët e Kosovës të mësojnë në mbrëmje se të nesërmen nuk do të ketë energji elektrike dhe që në kushtet optimale të prodhimit të energjisë elektrike të ketë reduktime.

Lexo edhe

Video