Ngrohja gjatë dimrit, si do të faturohen qytetarët e Prishtinës?
Intervista
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Më shumë se 17 mijë njësi të banimit në të cilat janë instaluar pajisjet matëse nëpër radiatorë, do të faturohen për shpenzimet e tyre reale. Ndërsa për njësitë e tjera të banimit, ku matësit nuk janë instaluar ende, faturimi do të vazhdojë të bëhet sipas metrave katrorë edhe për këtë sezon. 

Kështu bënë të ditur kryeshefi ekzekutiv i ngrohtores së qytetit të Prishtinës “Termokos” Fisnik Osmani në një intervistë për KosovaPress. Ai zotohet se janë bërë të gjitha përgatitjet për të filluar sezonin e ngrohjes me datën 15 tetor. 

Osmani flet për pamundësinë që edhe këtë vit të kyçen në sistemin ngrohës “Banesat e Bardha”, dhe për borxhin e qytetarëve ndaj kësaj ndërmarrje publike. 

Anipse ishte planifikuar që “Banesat e Bardha” të kyçen në sistemin ngrohës këtë sezon, për shkak të disa arsyeve është komplikuar procesi i ndarjes së mjeteve nga Komuna e Prishtinës për intervenim në këtë pjesë. 

Osmani tregon se “Termokos” me mjete vetanake planifikon të kyç në sistemin ngrohës këto 29 objekte banesore, porse nuk është e mundur deri në vitin tjetër. 

Kryeshefi ekzekutiv në Termokos, Fisnik Osmani thotë se gjithçka është gati për të filluar sezoni ngrohës më datën 15 tetor. 

Sipas tij, këtë vit, furnizimi nga ngrohtorja do të përfshijë rreth tre milionë metra katror në Prishtinë, në sektorin afarist dhe banesor. Ai gjithashtu përmend se do të jenë mbi 30 mijë njësi të banimit që do të marrin këtë shërbim.

Ndër të tjera, Osmani potencon se këtë vit është i kënaqur me pjesën e inkasimit, për çka thotë se mbi 90 për qind e qytetarëve po i paguajnë faturat. 

Përveç këtyre, synim i ngrohtores Termokos është që edhe lagjen 44-atëshe të kyç në sistemin ngrohës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024