Ngërçi në dialog, Serbia akuzohet se po mohon marrëveshjen e Brukselit
Tema
Lexohet për: 2 min.
Kurti-Vuqiq
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Qeveria e Kosovës po e akuzon Serbinë se po mohon Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit, të arritur në vitin 2023 për normalizimin e raporteve mes dy vendeve. Në ekzekutiv thonë se Serbia vazhdimisht po e shpërfaqë qasjen e saj agresive ndaj Kosovës, duke përmendur miratimin së voni të dy ligjeve nga Serbia që shkelin sovranitetin e Kosovës. Në anën tjetër, këto veprime të Serbisë, por edhe zgjedhjet në Kosovë, faza e tranzicionit të konstituimit të strukturave të reja në Bashkimin Evropian dhe administratës së re në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Partinë Demokratike të Kosovës dhe analistë politikë, janë dëshmi se nuk do të ketë asgjë konkrete në dialog në muajt në vijim.

Në fillim të muajit nëntor, Serbia miratoi ligjet për juridiksionin gjyqësor në Kosovë dhe për ta shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”.

Këto veprime u kritikuan nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, të cilat thanë se ato shkelin qartazi detyrimet e Serbisë nga dialogu me Kosovën për normalizimin e raporteve.

Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti, thotë për KosovaPress, se këto veprime të Serbisë që shkelin marrëveshjen e arritur, duhet dënuar me ashpërsi më të madhe nga BE-ja.

Në anën tjetër, sekretarja organizative e PDK-së, Vlora Citaku, thotë për KosovaPress, se Serbia vazhdimisht ka pasur qasje destruktive në dialog. Mirëpo, sipas saj institucionet në Kosovë duhet ta kërkojnë dhe ta duan përfundimin e këtij procesi dialogues me marrëveshje finale, ku përfshihet njohja reciproke.

Pavarësisht kësaj, ajo shton se zgjedhjet në Kosovë dhe rrethanat ndërkombëtare, dëshmojnë se ngërçi në dialog do të vazhdojë.

Ndërkaq, sipas analistit politik, Arbnor Sadiku,  miratimi i ligjeve për Kosovën nga ana e Serbisë e bën dialogun shumë destruktiv.

Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri për normalizim marrëdhëniesh në shkurt të vitit të kaluar, derisa në mars të po atij viti për aneksin e zbatimit të saj, por deri më tani kjo marrëveshje nuk ka gjetur zbatim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024