Nga kualifikimi dramatik te dëshpërimi në Paris, rrëfimi i trajneres Sallauka për Donjeta Sadikun
Lexohet për: 3 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua
Pjesëmarrja në Lojërat Olimpike ishte njëri nga synimet më të mëdha të boksieres Donjeta Sadiku dhe arritja e këtij qëllimi kaq madhor nuk ishte aspak i lehtë. Trajnerja e Sadikut, Marjola Sallauka, në një rrëfim të rrallë për KosovaPress, ka folur për vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar Sadiku për t’u kualifikuar në olimpiadë.
Ajo thotë se përkundër luftërave të vështira që e prisnin rrugës, ishte e bindur se Sadiku do të kualifikohej për në Lojërat Olimpike.
“Kualifikimi në fund ka qenë qershia mbi tortë sepse kualifikimi ka qenë një ndër garat më të vështira që e kemi pasur. Kampionati Botëror, Kampionati Evropian i ka vështirësitë e veta, mirëpo kualifikimet që janë mbajtur në Itali kanë qenë sfidë në vete. Ka qenë shumë e përgatitur, në formë shumë të mirë, i ka zhvilluar katër meçe në përgjithësi me kundërshtaret më të forta që i ka pasur në kategori. Do ta veçoja meçin me italian që ka qenë meçi vendimtar që Donjeta të kualifikohet për në Paris. Sfidë e madhe ka qenë për shkak se kualifikimet janë mbajtur në Itali dhe meçi vendimtar ka qenë me një italiane dhe dihet që vendase kur je ke përparësi, por nuk kam dyshuar që me Donjetën do ta arrijmë këtë kualifikim. E kam parë në mendjen e Donjetës, në atë që ajo ka besuar...Ne si trajnerë e ndjejmë, e dimë dhe i kuptojmë boksierët, kështu që e kam ditur sigurt që Donjeta është e pandalshme në atë kualifikim”, tha fillimisht Sallauka.
Përkundër pritjeve më të mëdha, në Paris nuk u arritën synimet e boksieres për të rrëmbyer medalje, por Sallauka thotë se nuk ka vend për dëshpërim.
“Kemi besuar shumë në medalje sepse e di çfarë punë ka bërë Donjeta, mirëpo jo gjithmonë gjerat shkojnë ashtu siç ne presim. Unë nuk jam e dëshpëruar me atë çfarë ka ndodhur, edhe pse Donjeta nuk arriti të marr medalje, Donjeta është e re, unë besoj shumë që edhe dy olimpiada Donjeta mund t’i zë dhe atë në formën më të mirë të mundshme...Në olimpiadën e ardhshme do të jetë edhe më e kompletuar dhe besoj shumë në suksesin e saj”, theksoi Sallauka.
Trajnerja shtoi në fund se puna për të fituar medalje evropiane e botërore nga Donjeta tashmë veç se ka nisur, derisa synimi për medalje olimpike mbetet pika kryesore e karrierës së saj.