Nga fjalët për Kanten, triumfi në Ligën e Kampionëve e deri te fajësimi i klubit, Rudiger konfirmon largimin nga Chelsea

Nga fjalët për Kanten, triumfi në Ligën e Kampionëve e deri te fajësimi i klubit, Rudiger konfirmon largimin nga Chelsea

Mbrojtësi gjerman Antonio Rudiger përmes një komunikate zyrtare në “Twitter” ka konfirmuar sot largimin nga Chelsea.

Rudiger do të largohet nga klubi londinez në fund të këtij sezoni, dhe do t’i bashkohet si lojtar i lirë gjigantit spanjoll Real Madrid, përcjell KosovaPress.

Me këtë rast, Rudiger ka shfrytëzuar rastin që të thotë lamtumirën e tij drejt tifozëve të Chelseat dhe klubit, ku këtë të fundit e fajësoi për çështjen e rinovimit të kontratës.

Fillimisht, Rudiger e nisi këtë përshëndetje me disa fjalë për bashkëlotarin e tij N’Golo Kante, për të cilin tha se është ndër njerëzit më të sjellshëm në futboll.

“Duhet ta tregojë një histori të shpejtë për njërin nga djemtë më të sjellshëm në futboll. Sigurisht jam duke folur për Kanten.

Para se të vija në Chelsea, kisha dëgjuar të gjitha historitë e bukura për të. Ata thanë se ai është gjithmonë i buzëqeshur. Ata thanë se ai ende vozit një Mini Cooper të vjetër. Ata thanë se ai kurrë nuk e ngre zërin. Por e dini se si shkon në futboll, apo jo? Askush nuk është vërtet i tillë. Ka shumë presion, shumë zhgënjim. Të gjithë jemi njerëz. Askush nuk është kaq i lezetshëm gjatë gjithë kohës. Është e pamundur. Pastaj takova N’Golo.


Gjithçka që i thashë këtij djali, ai thjesht më shikonte dhe tundte kokën, sikur të mendonte se gjithçka që thashë ishte vërtet interesante. Dhe ai do ta bënte këtë gjë, unë nuk di vërtet se si ta shpjegoj, duhet ta dëgjoni. Sa herë që unë flas, ai bënte *click, click, click* me gojën e tij”, tha Rudiger për Kanten.

Më pas, Rudiger foli për triumfin në Ligën e Kampionëve, për të cilin mbrojtësi gjerman tregoi se pas gjitha problemeve që kishte pasur i dukej si ëndërr.

“Për mua, për të arritur në një finale të Ligës së Kampionëve, pas çdo gjëje që kisha kaluar personalisht, dhe pasi luajta për kaq gjatë pa asnjë tifoz gjatë COVID … uau … ishte si një ëndërr. Kam fjetur si një bebe para finales së Ligës së Kampionëve dhe kur u zgjova, u ndjeva i pathyeshëm. Me familjen time pas dhe me ushqimin në tryezë, nuk mund të humbas.

Vetë ndeshja ishte e bukur, sepse fituam kundër një skuadre tejet të fortë si City, duke u mbrojtur të bashkuar dhe duke i goditur me kundërsulme. Ne luftuam për jetën tonë dhe në fund u bëmë kampionë. Në fishkëllimën e fundit, unë po vrapoja si i çmendur, dhe Tuchel erdhi drejt meje, dhe unë e përqafova fort. Ishte një moment i veçantë për mua dhe do t’i jem gjithmonë mirënjohës, sepse më dha një shans kur të gjithë kishin hequr dorë nga unë”, tha Rudiger.

Ndër të tjera, Rudiger foli edhe për situatën e rinovimit të kontratës së tij me Chelsea, ku e fajësoi këtë të fundit që kishte lënë për momentet e fundit këtë gjë.

“Fatkeqësisht, bisedimet për kontratën time kishin filluar të vështirësoheshin vjeshtën e kaluar. Biznesi është biznes, por kur nuk dëgjon asnjë lajm nga klubi nga gushti në janar, situata ndërlikohet. Pas ofertës së parë, nuk kishte bisedime, nuk kishte asgjë. Ne nuk jemi robotë, e dini? Ju nuk mund të prisni me muaj me kaq shumë pasiguri për të ardhmen tuaj. Natyrisht, askush nuk i pa sanksionet që vinin, por në fund klubet e tjera të mëdha po shfaqnin interes dhe unë duhej të merrja një vendim. Do ta lë me kaq, sepse mënjanë biznesin, nuk kam asgjë të keqe për të thënë për këtë klub”, tha Rudiger.

Antonio Rudiger ishte transferuar te Chelsea nga Roma, ku në 202 paraqitje për skuadrën angleze arriti të regjistroj 12 gola dhe shtatë asistime mbi emrin e tij, ndërsa arriti të fitojë trofe si Ligën e Kampionëve, FA Cup, Ligën e Evropës, Super Kupën e Evropës dhe Kupën e Botës për klube.

Lexo edhe

Video