Nga 1 tetori arsimi i lartë pa pagesë, Kurti e Nagavci thonë se përmbushën zotimin e tyre

Nga 1 tetori i këtij viti akademik 2021/2022, arsimi i lartë publik në Kosovë do të jetë pa pagesë për studentët në nivelin bachelor dhe master. Kjo mundësohet përmes udhëzimit administrativ  “Aplikimi i pagesave të studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë”, që është nënshkruar sot nga ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci.

Ky vendim i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, teknologjisë dhe Inovacionit u kumtua nga kryeministri Albin Kurti e ministrja Arbërie Nagavci, të cilët u shprehen se po jetësohet një zotim i tyre.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky vendim që është nënshkruar nga MASHTI do të ndikojë në barazinë sociale në vend, derisa tha se është një përmbushje e zotimit se arsimi duhet të jetë falas për të gjithë.

“Nga 1 tetori i këtij viti duke filluar prej vitit akademik 2021/2022 arsimi i lartë publik në Kosovë do të jetë pa pagesë për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë në nivelet bachelor dhe master, ndërsa për studentët e doktoratës do të ketë lehtësi të veçanta. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit z.Arbërie Nagavci ka nënshkruar sot udhëzimin administrativ me të cilin arsimi i lartë do të bëhet njësoj i qasshëm për të gjithë. Kjo padyshim se kontribuon në barazinë sociale në vend. Ne besojmë që në këtë formë nxisim për interesim për studime të larta, duke përmirësuar kësisoj nivelin e përgjithshëm arsimor të popullsisë dhe duke kontribuar në zhvillimin e kapitalit njerëzor që është parakusht për zhvillim ekonomik e për progres shoqëror”, tha ai.

Kurti u shpreh se nga ky vendim përfitojnë të gjitha kategoritë e shoqërisë, derisa përmendi se përfitojnë edhe studentët nga vendet tjera në veçanti ato të rajonit të cilët trajtohen në mënyrë të barabartë si studentët vendor.

Po ashtu, ai tha se do të vazhdojnë të përkrahin studentët edhe në forma të tjerave përmes bursave, banimit e ushqimit me çmim të përballueshëm.


Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, u shpreh se përmes këtij vendimi po shmangin diskriminimin për shkak të pabarazisë sociale, por edhe po sigurohen për ruajtjen e cilësisë në arsimin e lartë.

“Do të vlejë duke filluar nga ky vit akademik, pra viti 2021/2022 për të gjithë studentët dhe nivelin e studimeve. Me këtë udhëzim studentët nivelit e bachelor dhe master do të lirohen nga pagesa e tarifave me rastin e regjistrimit të semestrit për herën e parë. Në këtë mënyrë ne po shmangim diskriminimin për shkak të pabarazisë sociale, por edhe po sigurohemi për ruajtjen e cilësisë në arsimin e lartë. Pra, po e përmbushim premtimin tonë për arsim publik falas, mbështetur në parimin e solidaritetit shoqëror dhe duke ofruar qasje të barabartë me vëmendje edhe të arsimi cilësor meqë studentët do të nxiten t’i kryejnë me kohë obligimet e tyre në mënyrë që të mos shpenzojnë kot për përsëritje të panevojshme të semestrave”, tha ajo.

E para e arsimit, u shpreh se edhe për studentët e doktoratës do të ketë lehtësira, ku përmendi se kur një student i doktoratës është i detyruar ta përsërisë semestrin pa fajin e tij, qoftë në pritje të vendimit për caktimin e mentorit ose të publikimit të ndonjë punimi në revistë shkencore atëherë mund të lirohet nga pagesa e semestrit.

Nagavci u shpreh se Qeveria e Kosovës do të përkujdeset që hendeku financiar, i cili vlerësohet të jetë rreth 1.7 milionë euro për shtatë universitetet publike do të plotësohet nga buxheti i Kosovës.

Sa i përket fillimit të vitit të ri, Nagavci tha se ka qenë rekomandim i institucioneve shëndetësore që fillimi i vitit të ri shkollor të pezullohet deri me 26 të këtij muaji. Ajo tha se janë 18 ditë të humbura të mësimit e të cilat tha se do të zëvendësohen.

“Janë gjithsej 18 ditë të humbura që nuk është filluar viti i ri shkollor, të gjitha këto ditë do të kompensohen. Të hënën është mbledhja e task forcës në nivel të ministrisë ku do të qartësohet edhe për kompensimin e këtyre ditëve. Ndërkaq, sa i përket zhvillimit të mësimit, gjegjësisht aktiviteteve të tjera aktualisht ka disa shkolla jo vetëm private që kanë filluar aktivitetet me fëmijët që më shumë janë kompensim i humbjeve të shkaktuara gjatë vitit të kaluar shkollor, zyrtarisht viti i ri shkollor është i pafilluar dhe këto 18 ditë do të kompensohen sipas vendimit që do të merret në konsultim edhe me taskforcës. Në lidhje me zhvillimine  mësimit nga distanca në momentin që do të fillojë viti i ri shkollor në udhëzuesit të cilët i kemi miratuar janë të paraparë katër skenar në mesin e tyre është edhe skenari për mësim nga distanca i cili do të zbatohet nëse vlerësohet nga taskforcat në nivel komunal”, tha ajo.

Lexo edhe

Video