“Nexhmije Pagarusha ishte simbol i bashkimit të shqiptarëve”

“Nexhmije Pagarusha ishte simbol i bashkimit të shqiptarëve”

Në ditën kur flamuri shtetëror është vendosur në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, vepra e saj po kujtohet e lartësohet. Ikona e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha e cila vdiq të premten në moshën 86 vjeçare, po kujtohet si simbol i bashkimit mes shqiptarëve. Vepra e bilbilit të këngës shqipe që nga mëngjesi është nderuar me ceremoni shtetërore.

Mbesa e saj, Mirjeta, mes lotëve e kujton gjyshen e saj si një grua të fortë, e cila synonte me çdo kusht pavarësinë e grave shqiptare. Në akademinë përkujtimore, ajo tha se ikona e muzikës shqipe dy vjetët e fundit të jetës, ani pse në gjendje jo të mirë shëndetësore, ngushëllohej me muzikën e saj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Nexhmije Pagarusha ishte simbol i filmit, teatrit, e këngës. Krijimtaria e ikonës së këngës shqipe, tha se do të lartësohet nga çdo brez. Sipas tij, Pagarusha ishte bilbil poshtë një shteti diktator dhe mbi supet e një populli të lashtë.

Kreu i qeverisë gjatë kësaj mbledhje komemorative  tha se përkundër famës ajo jetoi thjeshtë, duke e lartësuar vendin e popullit të saj.

E kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se këngët e saj i kanë dashur nga fëmijëria. Osmani tha se populli shqiptar është i detyruar ta kujtoj gjithmonë. Sipas saj, Pagarusha nuk jetonte vetëm në një shoqëri e në një hapësirë, por ajo i krijonte dhe zgjeronte këto hapësira duke krijuar identitetin e këngës shqipe.

Ndër të tjera, Osmani tha se çdo iniciativë që mbron dhe promovon vlerat e artit do të ketë mbështetje nga Kuvendi i Kosovës.

Për ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Pagarusha ishte bashkim i Kosovës dhe Shqipërisë. Qemail Minxhozi në këtë akademi përkujtimore, tha se ikonat nuk vdesin asnjëherë, por vetëm lartësohen.

Në emër të komunitetit artistik, e ka kujtuar edhe Rafet Rudi, i cili tha se Pagarusha ka përfaqësuar bukurinë e këngës shqipe.


Në nderim të jetës dhe veprës së bilbilit të këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha, në Teatrin Kombëtar të Kosovës që nga mëngjesi janë hapur dyert për homazhe. Pranë arkivolit të 86 vjeçares kanë qëndruar performues nga ansambli “Shota”, derisa nderimet e fundit janë përcjellur me tingujt e këngës “Baresha”, të vet bilbilit të këngës shqipe.

Pas mbledhjes komemorative, kortezhi me arkivolin e saj ka kaluar nga teatri deri te sheshi “Zahir Pajaziti”. Artistja e mirënjohur e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare, pas një sëmundje të shkurtër.

 

 

 

 

 

 

Lexo edhe

Video