Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka zgjidhur çështje dhe vendosur standarde të rëndësishme në forcimin e demokracisë e shtetit të së drejtës, ligjit e mbrojtjes së të drejtave të njeriut duke afirmuar vlerat e parimet kushtetuese pas gati 16 vjet të funksionimit të saj.
Kështu u tha sonte në ceremoninë solemne të pranim-dorëzimit të detyrës nga kryetarja e deritanishme e Gjykatës Kushtetuese Gresa Caka-Nimani te kryetari i zgjedhur Nexhmi Rexhepi.
Gresa Caka- Nimani derisa ka uruar kryetarin e përzgjedhur për pozitën, ka thënë se i njëjti do të merr barrën e drejtimit të këtij institucioni në ballafaqimet me sfidat dhe shënimin e arritjeve të reja.
"Sot i dorëzohet detyra një gjenerate të re, kryetarit të ri të Gjykatës që do të merr barrën e drejtimit të këtij institucioni në ballafaqimet me sfidat dhe shënimin e arritjeve të reja. Ky tranzicion që kalon nëpër të kaluarën, të tashmen dhe orientohet nga e ardhmja nuk duhet assesi të nënkuptohet në lidhje me individin, por me fazat zhvillimore dhe ciklin jetësor të institucionit... Gjykata ka ndërtuar një kulturë organizative dhe traditë vendimmarrëse që nuk ndërlidhet me plotësimin e pritjeve momentale të asnjë pale e as opinionit publik, por me zhvillimin e drejtësisë kushtetuese, me zhvillimin e shtetit të së drejtës. Me idenë parësore që të qëndruarit besnik Kushtetutës dhe avancimit të reputacionit të Gjykatës të shtrirë në kohë, përfshirë në forume ndërkombëtare të drejtësisë kushtetuese duke i shërbyer kështu paraqitjes me dinjitet dhe përforcimit të identitetit e reputacionit të Republikës së Kosovës. Me besimin e plotë dhe pasionin e pashtershëm për të mbrojtur dhe lartësuar një Kushtetutë që simbolizon shtetin sovran", ka thënë Cakaj."Fakti që janë bërë 16 vjet nga miratimi i kësaj Kushtetute e që të gjithë ne shpesh rrëmbehemi nga dinamikat ditore nuk e pakëson simbolin që ngërthen Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Ajo nuk është thjesht një akt formal normativ, një dokument, por është një akt që brohoritjet e lumenjve me njerëz nëpër rrugët e Kosovës përgjatë viteve 80' dhe 90' për liri, pavarësi, demokraci, i ka shndërruar në realitet. Është kjo Kushtetutë që simbolizon lirinë, pavarësinë dhe demokracinë tonë, është kjo Kushtetutë, shkronjat e së cilës shpërblejnë sakrificën e së kaluarës me aspiratat dhe shpresat e të ardhmes... Mbrojtja e kësaj kushtetute nuk është thjesht detyrë, mbrojtja e kësaj Kushtetute është akti më i lartë i patriotizmit të çdo qytetari të Republikës, shërbyesi publik, funksionari të lartë publik, e posaçërisht i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës", tha Caka-Nimani.
Ndërsa, kryetari i zgjedhur Nexhmi Rexhepi u zotua se do t'i qëndrojë besnik kësaj detyre duke mbrojtur dhe ruajtur supremacinë e Kushtetutës.
Mandati i kryetarit të ri Nexhmi Rexhepi do të fillojë më 31 dhjetor 2024, pasi që Gresa Caka-Nimani të përfundojë mandatin e paraparë.