New York Times për Kosovën: Në vendin e ish-rebelëve, gratë gjejnë fuqinë tek kutitë e votimit

New York Times për Kosovën: Në vendin e ish-rebelëve, gratë gjejnë fuqinë tek kutitë e votimit

Gazeta prestigjioze amerikane, New York Times ka shkruar për gratë në Kosovë, artikull ky i titulluar “Në vendin e ish-rebelëve, femrat gjejnë fuqinë në kutitë e zgjedhjeve”.

Gazetari Andrew Higgins shkrimin e nis me atë se si gratë në Kosovë po rriten sa i përket përfaqësimit në institucione, e kështu duke rritur edhe shpresën për më shumë barazi gjinore në vendin e dalë nga lufta para 20 vitesh. Për gazetën amerikane, është deklaruar presidentja në detyrë, Vjosa Osmani e cila ka thëne se perofrmancën në zgjedhje e sheh si një gatishmëri të Kosovës për të pasur një presidente grua.

Në qendër të shkrimit Higgins e ka vënë, Saranda Bogujevcin, deputete e ardhshme të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes.

Bogujevci përshkruhet si një vajzë e cila ka përjetuar masakrën e familjes së saj nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Tani ajo paraqitet si një grua e fuqishme në mesin e shumë grave që do të jenë pjesë e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

“Zonja Bogujevci, 35 vjeçare është më shumë se një simbol. Ajo është pjesë e një vale të vështirë të grave për tu zgjedhur deputete në Kuvendin e Kosovës, shtet ky që ka shpallur Pavarësinë në vitin 2008 por që ende mbetet një prej vendeve më të varfra në Evropë. Kur u shpallën rezultatet përfundimtare të enjten e kaluar, u bë e ditur se gratë fituan më shumë ulëse se asnjëherë më parë në Parlament, përafërsisht 40 për qind të totalit”, thuhet ndër të tjera në shkrim.

Për Bogujevcin ka folur aktivistja Nazlie Bala. Ajo për New York Times ka thënë se Bogujevci është emblemë e shpresës në Kosovë.

“Ajo është një e mbijetuar. Ajo është e fortë si guri. Ajo është e vërteta”, ka thënë Bala.

Pas Bogujevci, shkrimi i gazetës amerikane vazhdon me presidenten në detyrë, Vjosa Osmani.


Në shkrim thuhet se Osmani ka fituar vota në zgjedhjet e fundit më shumë se çdo kandidat tjetër në historikun zgjedhor të Kosovës, në vitet e pasluftës.

Performancën në zgjedhje, Osmani e sheh si një gatishmëri të Kosovës për të pasur një presidente grua.

“Kosova nuk është gati vetëm për një presidente grua, por votoi për një grua, pavarësisht mentalitetit patriarkal të ngritur ndër shekuj”, ka thënë Osmani për Neë York Times.

Artikulli vazhdon me deputeten e re, nga Lista Vjosa, Doarsa Kica e cila është një avokate me profesion për që ka fituar votat e nevojshme për të marrë një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

“Doarsa Kica, një avokate 30-vjeçare, hoqi dorë nga puna e saj për të kandiduar në një platformë antikorrupsion, duke përmendur takime në gjykatë me gjyqtarë të korruptuar dhe zemërim me politikanë “të cilët jetojnë në shtëpi me milion dollarë kur ata kanë vetëm një pagë mujore $ 1,000”, thuhet në shkrim.

Për artikullin flet edhe aktivistja e të drejtave të grave Igballe Rugova e cila thotë se gratë në Kosovë tani nuk po i votojnë gratë vetëm sa për të përmbushur kuotën gjinore në Kuvend por sepse kanë besim në ato si politikane dhe mendojnë se i meritojnë votat.

Ndërkohë, artikulli përmbyllet ndër të tjera me liderin e VV-së, Albin Kurti për të cilin thuhet se në zgjedhjet e fundit parlamentare ka bashkuar forcat me Vjosa Osmanin duke thyer rekord në promovimin e grave

“Kryeministër për një kohë të shkurtër vitin e kaluar, ai ka vënë gratë në krye të një të tretës së ministrive në Qeverinë e tij. Qeveritë e mëparshme kishin një ose asnjë të tillë”, thuhet në shkrimin e New York Times.

Ndërkohë që ditë më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt. Në këto zgjedhje Vetëvendosje mori 49.95 % të votave duke siguruar kështu 58 ulëse në Kuvend.

Lexo edhe

Video

error: