Nesër vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të tretë në gjykimin kundër Pjetër Shalës
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Dëshmitari i tretë i prokurorisë në gjykimin kundër Pjetër Shalës ka thënë se babai i tij asnjëherë nuk kishte folur për ndonjë shtëpi të verdhë në Shqipëri.

Ai ka thënë se në pjesën e parë të vitit 1999 babai i tij ishte kidnapuar në Shqipëri për t’u mbajtur pastaj për gati dy javë në një fabrikë metali në Kukës.

Aty, sipas dëshmitarit, ai ishte keqtrajtuar nga Xhemshit Krasniqi, Pjetër Shala dhe Sabit Geci.

Dëshmitari ka thënë se për Pjetër Shalën dhe incidentin që pretendohet të jetë i përfshirë, ka mësuar nga babai i tij pasi i njëjti ishte kthyer nga Shqipëria në qershor të vitit 1999.

Ai ka thënë se babai i tij, gjatë mbajtjes që pretendon se ka ndodhur në Kukës, e ka kuptuar që ishte Pjetër Shala personi që kishte sulmuar lokalin e familjes si dhe kishte shkuar pranë shtëpisë së tyre në vitin 1998.

“Babai ka pyetur, vëllai i madh ka pyetur, dhe ka dëgjuar nga ish-luftëtarë  të tjerë që kanë qenë, që ai ka qenë atje, unë i kam besuar fjalëve të babait se vet i ka thënë Pjetër Shala, komandat Ujku, i ka thënë që unë jam ai, pse ke lyp tjetër kah sepse unë jam ai që ta kam gjuajtur kafenë dhe unë jam ai që kam ardhur të shtëpia, pse nuk dol kur kam ardhur të shtëpia, rasti i 1998-ës”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se babai i tij kishte pësuar lëndime fizike dhe psikike për shkak të keqtrajtimit që pretendohet se i është bërë në një fabrikë metali në Kukës.

Dëshmitari ka thënë se babai i tij kishte punuar polic tërë jetën e tij dhe për këtë e kishin pyetur gjatë mbajtjes në Kukës.

Dëshmitari i tretë i ZPS-së do të dëgjohet edhe të enjten në gjykimin kundër Pjetër Shalës.

Shala po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024