Nesër premiera e baletit “Time”, Kajtazi: Pretendojmë ta shfaqim jashtë vendit

Baleti Kombëtar i Kosovës nesër do ta ketë premierën e parë për vitin 2023. Shfaqja “Time”, me koreografi nga Taulant Shehu sonte do ta ketë provën finale për t’u prezantuar nesër mbrëma para publikut të kryeqytetit.

Një ditë para kësaj premiere, drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, në një konferencë për media deklaroi se shfaqjen “Time” pretendojnë ta shfaqin edhe jashtë vendit.

Ai u shpreh i lumtur që kanë arritur të rikthehehen pas një kohe te publiku i Prishtinës.

“Pretendojmë ta shfaqim edhe jashtë vendit dhe sigurisht që në momentin që lëviz jashtë Kosovës, është sfidë numri i madh i stafit”, u shpreh ai.


Ndërsa, koreografi Taulant Shehu tha se mezi pret ta shohë nesër reagimin e publikut.

Ai nënvizoi se mënyra më e mirë të shfaqësh një emocion është gjuha e trupit dhe shtoi se janë munduar që përmes “Time” të shfaqin një emocion që vjen nga trupi.

Ndërkaq, balerina Aulona Nuhiu potencoi se është bërë kohë e gjatë që kur nuk ka pasur shfaqje para publikut prishtinas dhe shtoi se po rikthehen me shfaqje të veçantë.

Kujtojmë që, premiera e baletit “Time” do të mbahet nesë (e diel), nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë, në Prishtinë.

Video