Policia e Kosovës ka konfirmuar për KosovaPress se nesër më 22 nëntor, përkatësisht gjatë ndërrimit të paradites, do të nis shqiptimi i gjobave për vozitësit që posedojnë vetura me targa që autoritetet në Kosovë i konsiderojnë ilegale serbe.
Gjobitja e këtyre qytetarëve është si rrjedhojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave dhe konvertimin e targave ilegale në RKS.
“Ashtu siç është bërë e ditur sipas vendimit për targat, deri me datë 21 nëntor ishte paraparë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa pas kësaj date nga njëzet e dy (22) nëntori, Policia e Kosovës e ka bërë të ditur se do të filloj zbatimin e shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi, i cili sipas vlerësimit dhe planit policor pritet të filloj po në këtë datë (22.11.22) gjatë ndërrimit të paradites”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga Policia e Kosovës.
Sipas policisë, referuar situatës dhe zhvillimeve aktuale në vend, Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë këto zhvillime dhe në aspektin operacional bënë vlerësime profesionale konform të cilave ndërmerre masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës.
Ndonëse edhe sot u zhvilluan negociata në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti, presidentit serb, Aleksandër Vuçiq të ndërmjetësuar nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell për gjetjen e një zgjidhje për targat, por ky i fundit tha se propozimin e tyre për shtyrje të afatit për targat e refuzoi kryeministri Kurti, ndërsa presidenti serb, Vuçiq pranoi që mos të lëshojnë më targa “KM” për serbët lokal në Kosovë.