Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

Nëntoger Bunjaku nderohet me Shpatën Ndërkombëtare në Britani, diplomon edhe nëntoger Deliu

Nëntoger Bunjaku nderohet me Shpatën Ndërkombëtare në Britani, diplomon edhe nëntoger Deliu

Nëntoger Ilirianë Bunjaku, nga Forca e Sigurisë së Kosovës, ka përfunduar me sukses shkollimin njëvjeçar në Akademinë Mbretërore Ushtarake në Mbretërinë e Bashkuar. Në ceremoninë e diplomimit në “Sandhurst” ajo mori çmimin e parë si oficeri më i mirë ndërkombëtar, për çka edhe u nderua me Shpatën Ndërkombëtare. Gjithashtu sot, në akademinë prestigjioze të Mbretërisë së Bashkuar ka diplomuar edhe nëntoger Ardit Deliu, kadet në FSK.

Në hapësirat e Akademisë Mbretërore Ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar, është mbajtur sot ceremonia e diplomimit të gjeneratës 202.

Përveç atyre nga Mbretëria e Bashkuar, aty diplomuan 25 kadetë nga 15 vende të ndryshme të botës.

Për dallim nga ceremonitë e viteve të kaluara, kadetët diplomuan pa praninë e familjarëve të tyre në pjesën e publikut, krejt kjo për shkak situatës me pandeminë COVID-19.

Megjithatë, nuk mungoi ceremonia tradicionale e diplomimit në këtë akademi ku ndër të tjera u zhvillua edhe Parada e Sovranit.

Nëntoger Ilirianë Bunjaku, e cila një vit më parë e filloi trajnimin bazik në “Sandhurst”, ku u zhvillua në aspektin e karrierës në nivelin taktik dhe atë të lidershipit, sot ishte në qendër të ceremonisë.

Ajo mori Shpatën Ndërkombëtare, që përmban çmimin e parë si oficeri më i mirë ndërkombëtar për këtë vit në këtë akademi.

Ishte shefi i Shtabit të Mbrojtjes, gjeneral Sir Nicholas Carter ai që i dorëzoi çmimin.

“Ky është një moment domethënës, ka të bëjë me festimin e asaj që keni arritur deri më tani, por gjithashtu ka të bëjë edhe me parashikimin e asaj që mund të arrini në një jetë kushtuar shërbimit vetëmohues. Ju jeni gati të pranoni një përgjegjësi të madhe për të udhëhequr ushtarët dhe për të respektuar kërkesat e kompetencës, angazhimit dhe karakterit të pandërprerë çdo ditë. Si oficerë ju jeni zgjedhur individualisht për të udhëhequr bashkatdhetarët tuaj në betejë, në mbrojtje të vlerave që ne i çmojmë. Dhe vendi juaj mund t’ju bëjë një nder më të lartë. Çfarëdo që të ndodhë me ju, çfarëdo niveli që të arrini, çfarëdo njohje që të merrni nuk do të merrni kurrë një kompliment më të madh. Dhe në këmbim të këtij nderi dhe besimi, kur të largoheni nga këtu do të jetoni në përputhje me traditat e shkëlqyera të një oficeri të ushtrisë tonë”, tha Carter.


Për suksesin e Bunjakut ka shkruar edhe Ambasada e Britanisë në Kosovë, sipas së cilës, një gjë e tillë dëshmon profesionalizimin dhe aftësinë e FSK-së.

Ajo (Ilirianë Bunjaku) triumfoi përballë një konkurrence shumë të fortë për të fituar çmimin, e cila reflekton performancën e saj të jashtëzakonshme, duke demonstruar qëndrueshmëri fizike, guxim dhe aftësi të vërteta drejtuese gjatë gjithë kursit. Urime për një arritje të jashtëzakonshme, Iliriana”, thuhet në shkrimin e ambasadës.

Nëntoger Ilirianë Bunjaku është pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës tash e 6 vjet.

Ajo ka përfunduar Akademinë Ushtarake në Qendrën për Studime Universitare në Kosovë, pas së cilës është emëruar udhëheqëse e togut.

Përveç Bunjakut, në këtë ceremoni sot ka diplomuar edhe nëntoger Ardit Deliu i cili ka dëshmuar sukses në trajnimin një vjeçar në këtë akademi.

Çmimi i sotëm i ndarë për nëntoger Bunjakun, nga akademia e ushtrisë britanike, është vetëm një prej sukseseve që kanë treguar pjesëtarët e FSK-së në akademi të ndryshme të botës.

Pesë vjet më parë ishte Ismail Hoxha, oficeri i FSK-së, që kishte marrë Shpatën nga Princi Charles, si oficeri më i mirë ndërkombëtar.

Pas kësaj, Hoxha i cili kishte arritur gradën e kapitenit, u bë instruktor brenda Akademisë Mbretërore Ushtarake Sandhurst.

Mbretëria e Bashkuar dhe Republika e Kosovës kanë bashkëpunim të ngushtë në fushën e sigurisë ku deri më tani 23 pjesëtarë të FSK-së janë trajnuar në Akademinë Ushtarake Mbretërore “Sandhurst”.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.

error: