Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se të shtunën më 23 prill dhe të dielën më 24 prill, do të bëhet testimi për shndërrimin e gjithë unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet.
Në njoftimin për media thuhet se gjatë kësaj fundjave do të funksionojnë krejtësisht si rrugë njëkahëshe:
“Rruga ‘Agim Ramadani’ që nga semaforët pranë ish-mensës së Studentëve e deri te rreth-rrotullimi prapa ndërtesës së Komunës, rruga ‘UÇK’ nga Parlamenti e deri te ish-Kino “Rinia”, rruga ‘Migjeni’ deri te ndërtesa e ish-OSBE-së, rruga ‘Luan Haradinaj’ deri te semaforët pranë Bankës Qendrore, rruga ‘Garibaldi’ deri te semaforët pranë hotelit “Grand”, rruga ‘George Bush’ deri te semaforët pranë Katedrales dhe rruga ‘Eqrem Çabej’ deri te semaforët pranë ish-Mensës së Studentëve.
Lëvizja e trafikut nëpër unazën e mësipërme do të jetë njëkahëshe në të gjitha korsitë dhe krahët e rrugëve.