Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

Në QNR fillon rinumërimi i 494 vendvotimeve

Në QNR fillon rinumërimi i 494 vendvotimeve

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur procesi i rinumërimit të 494 vendvotimeve, për të cilat është marrë vendim sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të rinumërohen për shkak të mospërputhjeve të të dhënave ndërmjet kandidatëve për deputetë dhe subjektit politik.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tregoi arsyet që kanë dërguar deri tek vendimi për rinumërimin e këtyre vendvotimeve. Ai tha se në 370 vendvotime, është vërejtur se kandidati ka më shumë vota se subjekti politik.

“Gjatë procesimit të formularëve të rezultateve të subjekteve politike dhe kandidatëve 35 vendvotime nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta për shkak se gjatë auditimit është vërejtur se nuk janë bartur saktë votat e subjekteve politike në formularin e rezultateve. Gjatë procesimit të formularëve të rezultateve të kandidatëve 6 vendvotime nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta për shkak të problemeve teknike. Këta formularë janë plotësuar në mënyrë të paqartë dhe nuk mund të lexohen me saktësi. Në formularët e rezultateve të kandidatëve, në 370 vendvotime, është vërejtur se kandidati ka më shumë vota se subjekti politik dhe në raste të caktuara të gjithë kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik. Në 83 vendvotime, gjatë krahasimit të votave të subjekteve politike me votat e kandidatëve, rezulton se te të gjitha këto raste subjekti nuk ka vota, ndërsa kandidati apo kandidatët kanë vota dhe anasjelltas”, tha ai.


Numri i vendvotimeve të rinumëruara deri më tani është 506 vendvotime, duke përfshi edhe 12 vendvotimet që janë rinumëruar javën e kaluar.

Elezi deklaroi se në QNR është duke vazhduar punën Shërbimi Votues i KQZ-së për vlerësimin e rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime nga jashtë Kosova.

Ai tha se deri më tani janë hapur 19 mijë e 168 pako, prej të cilave janë aprovuar 22 mijë e 326 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 9 mijë e 49 zarfe me fletëvotime.

“Deri më tani janë hapur 19 mijë e 168 pako të supozuara me fletëvotime që i janë nënshtruar procesit të vlerësimit, që siç e dini brenda një pakoje mund të ketë më shumë se një zarf me fletëvotim. Pas vlerësimit janë aprovuar 22 mijë e 326 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 9 mijë e 49 zarfe me fletëvotime. Arsyet e refuzimit të tyre janë të ndryshme. Disa prej këtyre pakove janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës, disa të tjera për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit. Po ashtu, në disa raste pakot janë dërguar nga votues të paidentifikuar (votim grupor); apo se në pakon që kanë dërguar kanë bashkangjitur dokumente jo-valide”, tha ai.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: