Këtë muaj, pensionistët, punëtorët dhe studentët do të marrin nga 100 euro shtesë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka prezantuar sot masat e reja për mbështetjen e të gjithë pensionistëve, punëtorëve të sektorit privat dhe publik, si dhe studentët me nga 100 euro për muajin prill.

Kurti në një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave, tha se vlera totale e të gjitha këtyre masave është mbi 100 milionë euro.

“Sot po prezantojmë masat e reja në kuadër të pakos të cilat kanë për qëllim shtimin e mbështetjes për qytetarët. Kështu për muajin prill do ta dyfishojmë vlerën e asistencës sociale për të gjitha familjet që përfitojnë nga kjo asistencë. Pensionistëve do t’ua ndajmë nga 100 euro shtesë për muajin prill. Nga kjo mbështetje do të përfitojnë të gjithë ata që marrin pension bazik, pension kontribut pagues, pension të veteranit e kështu me radhë. Për herë të parë do të mbështesim prej 100 euro  të gjithë punëtorët e sektorit privat. Pra, rreth 300 mijë punonjës. E në kuadër të mbështetjes për të punësuarit do të ndajmë shumën e një hershme prej 100 euro edhe për mbi 80 mijë zyrtarë publik”, tha Kurti në një konferencë për media.

Me nga 100 euro do të mbështeten edhe 80 mijë studentët dhe do të ndahen 40 mijë pako ushqimore për familjet në nevojë.

Kurti tregoi edhe se në mbledhjen e Qeverisë që do të mbahet nesër do ta miratojnë projektligjin për pagën minimale.  


“Për herë të parë gjithashtu të gjithë studentët e Republikës do t’I përkrahim me një shumë të menjëhershëm prej 100 euro. Nga kjo mbështetje do të përfitojnë rreth 80 mijë studentë. Për shtresat më të cenueshme të shoqërisë veçse kemi filluar zbatimin e programit për shpërndarjen e mbi 40 mijë pakove ushqimore. Ndërkaq, do të vazhdojmë mbështetjen për ofrimin e shujtave përmes kuzhinave popullore. Vlera totale e të gjitha këtyre masave është mbi 100 milionë euro dhe nga këto masa e kjo shumë do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë ose secila familje e Kosovës. Përveç kësaj, në mbledhjen e Qeverisë e cila do të mbahet nesër do të miratohet projektligji që do t’i hap rrugë rritjes së pagës minimale në 264 euro bruto apo 250 euro neto dhe heqjen e tatimit për 250 euro pagë”, theksoi Kurti.

Ndërsa, ministri i Financave, Punës dhe Tranfereve ka treguar se kur do të dalin shtesat prej 100 euro në llogarinë e pensionistëve, punëtorëve dhe studentëve.

“Pothuajse të gjitha kategoritë, të cilat janë përballur me vështirësi gjatë këtyre muajve, do të mbështeten nga Qeveria e Kosovës. Sa i përket përfitimit, në radhë të parë do të jenë pensionistët të cilët do ta marrin këtë mbështetje shtesë me pensionin e radhës që pritet të shpërndahet në fund të kësaj jave. Pastaj do të jenë edhe pagat e sektorit publik për të cilët I kemi të dhënat dhe do të shpërndahen në fund të muajit, kurse për punëtorët e sektorit privat dhe për studentët gjatë ditëve në vijim do të hapim procesin e aplikimit meqenëse për ta nuk kemi të dhënat e llogarive bankare për t’i transferuar mjetet”, theksoi Murati.

Kurse, sa i përket deklaratave të ndryshme për përgatitjen e një koncept dokumenti për rritjen e tatimit në paga, ministri Murati theksoi se është tërhequr nga diskutimi publik dhe qytetarët do të njoftohen zyrtarisht për këtë çështje.  

“Për çdo masë që merr qeveria do t’iu njoftojë. Koncept dokumenti në fjalë ka qenë I publikuar për konsultime publike, nuk është dokument sekret, është publikuar dhe kam qenë I befasuar dhe kam kuptuar që ka qenë I përgatitur nga stafi civil. S’ka të bëj asgjë me qëndrimet e Qeverisë, e as nuk është që është bërë me direktiva nga kabineti. Normalisht që kam kërkuar të tërhiqet nga konsultimet publike dhe si qeveri me kohë do t’iu njoftojmë për të gjitha ndryshimet”, theksoi ai.

Lexo edhe

Video

3 Comments

Komentet janë të mbyllura.