Në nder të Ditës Olimpike, KOK zbulon rrathët Olimpikë

Në nder të Ditës Olimpike, KOK zbulon rrathët Olimpikë

Komiteti Olimpik i Kosovës ka shënuar 23-qershorin – Ditën Olimpike, me  ç‘rast ka zbuluar rrathët Olimpikë.

Në këtë ceremoni të pranishëm përpos drejtuesit të KOK-ut, ishin edhe ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi dhe drejtori për sport në këtë ministri, Ibër Alaj.

I pari i Komitetit Olimpik të Kosovës gjatë kësaj ceremonie u shpreh se kjo ditë e gjen Kosovën në një moment mjaft të mirë duke marrë parasysh numrin e normave Olimpike të fituara nga sportistët kosovar.

“Dita Olimpike lidhet me themelimin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, më 23 qershor në vitin 1894, është themeluar Komiteti Olimpik për ringjalljen e Lojërave Olimpike moderne dhe nga atëherë çdo katër vite mbahen Lojërat Olimpike, përjashtimisht gjatë dy luftërave botërore dhe këto të fundit që janë shtyrë, po pavarësisht nga kjo, kjo ditë e gjen Kosovën në një moment shumë të mirë, ku kemi 5 norma Olimpike nga xhudo, kemi normën olimpike edhe nga mundja, por normalisht që presim edhe nga ndonjë sportistë tjetër të ketë normë Olimpike dhe të përfaqësohemi sa më mirë në Lojërat Olimpike 2020 të cilat do të mbahen në vitin 2021”, tha Hasani.

Ndërsa ministrja, Vlora Dumoshi u shpreh se këto Rrathët Olimpikë kanë pasuruar edhe më shumë Prishtinën, pasi sipas saj kanë një vlerë të madhe për sportistët dhe të rinjtë kosovar.


“Ky është një moment i jashtëzakonshëm. Sot me datën 23 ne po shënojmë ditën botërore të Olimpiadës. Kjo do të thotë shumë se si ne si shtet, si komuniteti Olimpik në krye me Hasanin i rrinë gati këtyre ngjarjeve të cilat japin përtej mesazhe, për zhvillimin e sportit, për zhvillimin e sportit në përgjithësi. Tashmë ne jemi pjesë e Olimpiadës, ku kemi sportistë të shkëlqyer dhe ata do të jenë figura kryesore që do ti frymëzojnë të rinjtë tjerë. Kjo skulptura sot, megjithëse i ka ngjyrat më të bukura, Prishtina është fisnikërua me një monument siç janë rrathët e Olimpiadës të cilët kanë mesazh për zhvillimin e sportit për paqe në vende të ndryshme të botës”, tha Dumoshi.

Kujtojmë që shkak të problemeve me pandeminë globale Covid 19, Dita Olimpike po shënohet ndryshe nga vitet e kaluara./KosovaPress/

 

 

 

 

Lexo edhe

Video

error: