“Në mes të verës u bë dimër”, qytetarët shprehen kundër reduktimeve dhe shtrenjtimit të rrymës

Për reduktimet e energjisë elektrike të cilat janë duke u aplikuar që nga dita e hënë, të pakënaqur shprehen edhe qytetarët. Sipas tyre kjo nuk është e drejtë, derisa  të mllefosur  shprehen edhe për paralajmërimin e rritjes së tarifave.  Ata thonë se shtrenjtimi i rrymës dhe reduktimet e saj ndikojnë në ekonomitë familjare.

Qytetari Shefki Kolgeci nga Theranda thotë se shtrenjtimi i energjisë elektrike është i papërballueshëm.

“Unë mendoj që nuk është e mirë që reduktimet nuk kanë qenë as përpara as tash, po sidomos tash është koha e verës, prej tash e u bën reduktimet po dimrit çfarë do të bëjmë… Shtrenjtimi i rrymës edhe kjo nuk përballohet për shkak se të ardhura nuk kemi, rrogat nuk rriten, pensionet nuk rriten, me këto të ardhura nuk mundemi me i përballu këtij shtrenjtimi në qoftë se  bëhet shtrenjtimi përndryshe kështu siç është disi ia dalim”, tha ai.

I pakënaqur përball kësaj situate është edhe qytetari Vesel Veseli, i cili thotë se qeveria duhet të marrë masa për ta zbutur këtë situatë.

“Këto shtrenjtimet e rrymës janë shumë të paprekshme për buxhetin e familjeve tona, por qeveria për me i zbut këto probleme duhet me marrë masa sociale duke ngritur pensionet, duke ngritur ndihmat sociale e benefitet tjera për qytetarët. Me këto buxhete familjare që i kanë shumica e familjeve tona është vështirë për t’i mbuluar këto shtrenjtimi të rrymës”, thotë ai

Ai ka shtuar se këto reduktime janë të paarsyeshme.


“Edhe reduktimet për mua janë të pa arsyeshme. Si arsyetohet për shembull në pikë të verës me e bë dimër, si arsyetohet në pikë të ditës me ma bë natë, d.m.th. duhet t’i respektojmë ligjet e natyrës e jo si të na teket, por duhet ta menaxhojmë me kohë prej resurseve e buxhetit të qeverisë. Është dashur me lidh kontrata me marrëveshje nëse ka nevojë me importua e jo qytetarët me i lanë pa rrymë, jo vetëm familjet që pësojnë, por po pëson edhe ekonomia jonë, të gjitha bizneset d.m.th. zhvillimi ekonomik i vendit pëson pa rrymë. Pa rrymë nuk ka ekzistencë në ditët e sotme e si d.m.th. me një element qenësor të jetës sonë me bë lojë”, thotë ai.

Edhe Faik Shaqiri shprehet i pakënaqur me reduktimet dhe paralajmërimet për shtrenjtim të rrymës.

“Na vet nuk e dimë.. këta d.m.th.. nuk I kemi kushtet me na e rrit jemi ligsht prej pensionit, çdo send po kushton, peleti shtrenjtë, druri shtrenjte, vetëm të jemi shëndosh, pensionet nuk po rrihet, asgjë… Një herë e ndalën, por tash po thonë ‘jo, jo’, por prapë ndoshta e bëjnë po këta, nuk e dimë tash… Nuk është e drejtë, ku është e drejtë, nuk ka të drejtë askund, nuk kemi asgjë, nuk kemi shtet as skemi asgjë, as nuk kemi te drejta. Ku është e drejtë 100 euro pensioni, a pikë së pari duhet ta kemi 300 deri 500 euro, po nuk kemi çka të bëjmë”, thotë ai.

Ndërkaq zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka thënë sot për KosovaPress se sot pasdite pritet përmirësimi i furnizimit me energji elektrike.

“Aktualisht ka reduktime, ndërsa sot pasdite pritet përmirësimi i furnizimit me energji elektrike”, ka thënë ai.

Furnizuesi me rrymë, KESCO ka propozuar të premten dyfishimin e tarifave të rrymës, kjo është arsyetuar me mos disbursim të subvencioneve të premtuara nga qeveria dhe me rritjen e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare.

Lexo edhe

Video