Në kuadër të fushatës kundër dhunës Haxhiu e Nagavci bashkëbisedojnë me nxënësit e “Faik Konicës”

Në kuadër të fushatës kundër dhunës Haxhiu e Nagavci bashkëbisedojnë me nxënësit e “Faik Konicës”

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me atë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci sot kanë zhvilluar një bashkëbisedim me nxënësit e shkollës fillore  “Faik Konica” në Prishtinë, ku temë diskutimi ishte parandalimi dhunës në familje dhe asaj në baza gjinore.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Baza Gjinore” e cila nga sot nis shënimin me aktivitete të shumta që synojnë ngritjen e vetëdijes për këtë dukuri në shoqëri.

E nxënësit e shkollës fillore  “Faik Konica” kishin bërë edhe një ekspozitë të vogël dhe një shfaqje të shkurt me mesazhe kundër dhunës.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se gjatë këtyre 16 ditëve do të jenë nëpër shumë shkolla me qëllim që të ngritet krahas ngritjes së vetëdijes për raportim të dhunës në baza gjinore, të bëhet edhe edukimi për parandalimin e  çfarëdo lloj dhune.

“Gjatë këtyre 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore do të vizitojmë edhe shkolla të tjera e një varg aktivitetesh…duke qenë se për herë të parë për këtë fushatë që është globale botërore po organizohet në Kosovë në bashkëpunim me institucionet me  ministrinë e Drejtësisë dhe e kemi parë të rëndësishme  dhe ka qenë edhe vullneti i MD që t’i bashkërendojmë aktivitetet edhe në fushën e arsimit sepse besoj që jemi të vetëdijshëm se në radhë të parë është vetëdijësimi jo vetëm për raportimin e dhunës por për parandalimin e dhunës dhe ofrimin e mundësive të barabarta për të gjitha vajzat dhe djemtë“, u shpreh ajo.

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu teksa ka përgëzuar nxënësit e “Faik Konicës” për angazhimin rreth aktiviteteve që ngrisin vetëdijes kundër dhunës, ajo bëri thirrje tek ata që të respektojnë njëri-tjetrit dhe të mos bullizojnë.

Haxhiu tha se si ministri e Drejtësisë kanë hartuar politika përmes të cilave mund t’u qëndrojnë sa më afër viktimave të dhunës.

“Ministria e Drejtësisë është përgjegjëse për hartimin e politikave kundër dhunës në familje dhe asaj në bazë gjinore  dhe gjatë kësaj kohe kemi marr shumë veprime dhe kemi miratuar shumë ligje në mënyrë që t’i gjindemi prapë viktimave të dhunës në familje, por edhe viktimave me bazë gjinore. Dhe besoj që kontributi i secilit prej nesh qoftë ne që jemi në institucione, qoftë mësimdhënësve por edhe nxënësve është shumë i rëndësishëm që ne me pas sa më pak sepse me zhduk këtë fenomen apo këtë vepër penale sepse e dini që dhuna në familje është edhe vepër penale, dikush që ushtron dhunë në familje edhe dënohet mirëpo të paktën ta minimizojmë si fenomen”, u shpreh Haxhiu.


E gjatë këtij diskutimi nxënësit u interesuan të dinë sa ndikojnë në rritjen e rasteve të dhunës dhunën përmes pamjeve dhunuese që paraqiten në filma dhe këngë.

Po ashtu, ata pyetën edhe për dhunën që ushtrohet nga gratë ndaj burrave.

E para e drejtësisë kosovare u shpreh se si fenomen shqetësues në Kosovës është numri i madh i rasteve të dhunës të burrave ndaj grave.

Madje ajo tha se deri në këtë periudhë të vitit janë raportuar rreth 2 mijë e 500 raste të dhunës në familje e prej tyre vetëm 300 janë raste ku gratë kanë ushtruar dhunë ndaj burrave, ndërsa pjesa tjetër është e kundërta burrat ndaj grave.

“Shumë shpesh dëgjojmë këngë që shpërfaqin dhunën   dhe unë mendoj se kjo është gabim sepse mund të  bësh këngë të mirë pa përdorë fjali që ndërlidhen me dhunën qoftë me dhunën ndaj grave apo në përgjithësi. Prandaj unë mendoj që duke pas parasysh që të rinjtë tanë i dëgjojnë këto këngë i dëgjojnë këta këngëtar  ata mund të ndikojnë që ky fenomen të ulet pra përmes muzikës, artit, teatrit filmit mund të japim kontributi që ky fenomen të minimizohet. Sa i përket rasteve të dhunës së burrave ndaj grave apo grave ndaj burrave, unë konsideroj se është fenomen dhuna e burrave ndaj grave, nëse bazohemi në statistika po flas prej janarit deri tani i kemi pas rreth 2500 raste të raportuara dhe nga këto rreth 300 kanë qenë dhunë e grave ndaj burrave dhe në anën tjetër kanë qenë burrat ndaj grave pra fenomen është dhuna e burrave ndaj vajzave dhe grave dhe ky fenomen duhet të luftohet sikurse dhuna është e papranueshme ndaj kujt do qoftë”, thekoi Haxhiu.

E ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci u shpreh se me qëllim të ngritjes së vetëdijes kundër dhunës po zhvillojnë një sërë aktivitetesh përfshirë edhe rishikimin e librave.

“ Për fat të keq kemi pas raste edhe edukatorët ose mësimdhënësit që ndoshta pa vetëdije, pa vullnetin e tyre kanë ushtruar në një formë dhunë të cilët kanë pasur  dëshirë t’i ndihmojnë apo trajtojnë mirë me një qasje të gabuar. Edhe në këtë aspekt roli i mediave është shumë i rëndësishëm për  mesazhin që përcjellin… 23\06 Si ministri e Arsimit aktivitet tona janë shumë dimensione ne kemi filluar një proces shumë intensiv të rishikimit të  teksteve mësimore sepse e dimë të gjithë dhe ka qenë edhe çështje debati edhe tekstet nganjëherë pa qëllimshëm kanë përcjell mesazhe të gabuara. I dimë tekstet ku djemtë dhe burrat kanë qenë me libër dhe gazeta, derisa nënat kanë qenë tek kuzhina e përgatitja”, u shpreh ajo.

E nga sot nën moton “As edhe një më shumë”, nis fushata 16 ditë të aktivizimit kundër dhunës në bazë gjinore, dhe gjatë këtyre ditëve do të organizohen rreth 200 aktivitete të cilat do të shtrihen në gjithë territorin e Kosovës. /B.Ibishi/

Lexo edhe

Video