Banka Qendrore e Kosovës (BQK) bën të ditur se vlera e investimeve direkte në vendin tonë deri në fund të muajit maj të këtij viti ka arritur 341.22 milionë euro. Ndërsa, vlera e investimeve direkte jashtë Kosovës për këtë periudhë ishte 84.14 milionë euro.
Sipas publikimit të fundit të BQK-së, eksporti i mallrave për këtë muaj shënoi vlerën e 373.86 milionë eurove, ndërsa importi i mallrave ishte 2 miliardë e 207.79 milionë euro.Në publikim thuhet se bilanci i pagesave deri në fund të muajit maj 2024 u karakterizua me një deficit të llogarisë rrjedhëse në vlerë prej 556.39 milionë euro, i cili tregon rritje prej 101.88 milion euro krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Po ashtu sipas BQK-së, të ardhurat parësore deri në fund të majit 2024 shënuan bilanc pozitiv prej 65.79 milionë euro, të cilat në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishin vlerë 32.21 milionë euro duke treguar një rritje prej 104.28%.
Ndërsa, të ardhurat dytësore mbeten kontribuuesi kryesor në zbutjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse. Deri në maj 2024 kjo llogari shënoi bilanc pozitiv prej 772.16 milionë euro, e cila paraqet vlerë pothuajse të njëjtë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar.
“Investimet direkte në Kosovë deri në fund të majit 2024 ishin 341.22 milionë euro, që paraqesin një rritje prej 10.00% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar, përderisa investimet direkte jashtë Kosovës shënuan vlerën 84.14 milionë euro. Asetet rezervë deri në fund të majit 2024 janë rritur për 99.31 milionë euro, e cila përfaqëson rritje prej 52.70% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Rritjes së aseteve rezervë i ka kontribuar rritja e depozitave të cilat gjatë periudhës janar-maj 2024 u rritën për 192.29 milion euro. Ndërsa, investimet në letra me vlerë gjatë kësaj periudhe u zvogëluan për 92.98 milionë euro për shkak të maturimit të disa prej letrave me vlerë”, thuhet në raportin e BQK-së.